E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, Prokuroria: “Është nismë politike”

Autori i Lajmit: Red.Prokuroria e Përgjithshme reagoi menjëherë në lidhje me nismën e deputetëve të mazhorancës, të cilët kërkuan ngritjen e një komisioni të ri hetimor për kryeprokurorin. Menjëherë pas publikimit në media të këtij fakti, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Agim Neza, deklaroi se nisma është thjesht një skemë politike. Sipas tij, vendimi i mazhorancës lidhet me hetimin e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe me faktin se njëri nga anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të japë shpjegime për këtë çështje. Neza thekson se për të gjithë do të jetë e qartë se zhurmnaja për të luftuar korrupsionin nuk është gjë tjetër veçse një fasadë e kësaj mazhorance. “Kjo për faktin se krahas shumë arrestimeve që janë bërë kohët e fundit nga organi i akuzës, po vazhdon me intensitet dhe hetimi i disa çështjeve me rëndësi siç është privatizimi i Albtelekomit, shpenzimet nga fondi rezervë dhe çështje të tjera që atakojnë përfaqësues të mazhorancës”, - tha ai. Neza tha se pavarësisht nga presionet me komisione hetimore apo sfidat e emërimeve të të pandehurve në detyra shtetërore dhe bllokimin e policisë gjyqësore për sekuestrimin e dokumenteve në Këshillin e Ministrave, Prokuroria është e vendosur të vazhdojë hetimin deri në fund të çështjeve të ndryshme.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›