Kuvend, PS: “Heqja e imunitetit, pjesë e kalendarit trejavor”
Autori i Lajmit: Red.Deputetët e Partisë Socialiste kërkuan gjatë seancës plenare të pasdites, që në kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit të përfshihet edhe kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për shqyrtimin e imunitetit për deputetin Lulzim Basha. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, dhe nënkryetari i grupit, Erion Braçe, u shprehën të bindur se kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme është depozituar në protokollin e Kuvendit. Por drejtuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, tha se nuk është në dijeni të një kërkese të tillë. “Unë s jam në dijeni të kësaj kërkese që ju thoni, por sa ta kem atë do të informoj Kuvendin”, - iu drejtua Beja deputetëve të opozitës. Por deputeti socialist Taulant Balla sqaroi se një kërkesë e tillë është dorëzuar dje në orën 10.05 të paradites në Kuvend dhe për këtë është firmosur një procesverbal. Ndërkohë që deputeti Spartak Ngjela e konsideroi si të rëndë faktin që drejtuesi i seancës nuk kishte dijeni për shkresën e Prokurorisë të dorëzuar në Kuvend, në një kohë kur media dhe i gjithë opinioni publik ishte në dijeni të saj. Ndërsa kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, ka kërkuar nga drejtuesi i seancës, Fatos Beja, të ushtrojë kompetencat e kryetares Topalli për heqjen e imunitetit të ministrit Lulzim Basha. “Ju nuk doni të luftoni as korrupsionin e vjetër, as të riun. Ju doni të mbroni korrupsionin që e mbron kryeministri Berisha”,- theksoi Gjinushi. Pas ndërprejes së seancës për disa minuta, ajo ka rifilluar përsëri me të njëjtat diskutime. Më pas Beja informoi Kuvendin mbi kërkesën e bërë nga një grup prej 28 deputetësh që kërkojnë fillimin e procedurave për shkarkimin nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm, zotit Theodhori Sollaku.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2007