E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontraditat me Ndokën, Lesi braktis PDK-në

Autori i Lajmit: Red.Nikollë Lesi nuk do të jetë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokristiane. Ish-kryetari i PDK-së, pas largimit nga kreu i Grupit Parlamentar, tashmë e shikon veten edhe jashtë radhëve të partisë. Lesi tha se kjo situatë është pasojë e kontradiktave të forta me kreun aktual të partisë, Nard Ndoka. Përplasja mes dy liderëve nisi pak ditë pas arrestimit të zyrtarëve të lartë të PDK-së në Ministrinë e Transporteve që akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Nikollë Lesi kërkoi në atë kohë nxjerrjen e përgjegjësive për emërimet e bëra, sipas tij, pa plotësuar kriteret e nevojshme dhe pa mbështetjen e organeve drejtuese të partisë nga kryetari Ndoka. Menjëherë pas kësaj deklarate, Lesi u shkarkua nga kreu i Grupit Demokristian dhe u zëvendësua nga Pashk Ujka. “Unë i dhurova partinë Ndokës, për zgjerimin dhe jo për uzurpimin e saj nga një grup njerëzish që synojnë vetëm poste në ekzekutiv”, - u shpreh Lesi. Ai tha se punoi për shumë kohë që PDK të mbetej një parti që di jo vetëm të drejtojë, por edhe të jetë oponente e së keqes së çdo force politike apo grupimi tjetër, kushdo qoftë. Por tashmë Lesi i bashkohet grupit të të pavarurve në Parlament, Spartak Ngjelës dhe Gilman Bakallit dhe paralajmëron krijimin e një tjetër force që mund të jenë kristiandemokratët.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›