Patozi: “Komisioni Sollaku 2 do të çlirojë prokurorinë”
Autori i Lajmit: Suela TopiGrupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi dje në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni të ri hetimor ndaj kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Deputetët e PD-së vlerësuan dy ditë më parë se numri një i prokurorisë është fajtor për ekstradimet, për çështjen e pushuara etj. Ndërkohë që dje kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, pohoi se Prokurori i Përgjithshëm i ka ditët të numëruara. Ai tha se PD synon të çlirojë institucionet e akuzës nga kapja dhe letargjia në të cilën ajo është zhytur. Kreu i Grupit Kuvendor demokrat thekson se reforma në drejtësi dhe në prokurori vlen për pasardhësin e Sollakut.
Qëndrimi
Deputetët e PD-së depozituan në Kuvend kërkesën zyrtare me firmat e 28 prej tyre, për ngritjen e komisionit hetimor. Pas këtij vendimi Patozi tha se kërkesa për shkarkimin e Theodhori Sollakut synon mbi të gjitha vendosjen në shinat e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të institucioneve më të rëndësishme të vendit. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, Patozi, pasi informoi deputetët për depozitimin në Kryesinë e Kuvendit të kërkesës për nisjen e procedurave të shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, parashtroi arsyet e kësaj kërkese. “Ne synojmë çlirimin e institucionit të akuzës nga kapja dhe e konsiderojmë Prokurorin e Përgjithshëm, titullarin e këtij institucioni shumë të rëndësishëm, si bastionin e fundit të krimit të organizuar dhe si njeriun e fundit që ka kapur shtetin në Shqipëri. Me nismën tonë ne synojmë t i japim fund kësaj letargjie në institucionin e akuzës”, - tha kryetari i Grupit të PD-së. Patozi tha se një tjetër arsye për ndërmarrjen e kësaj nisme është që t i kthehet sovraniteti Kuvendit, 79 deputetë të të cilit një vit më parë votuan për shkarkimin e kryeprokurorit. Duke iu referuar komisionit hetimor të vitit të kaluar, ai tha se në mënyrën më transparente të mundshme dhe me fakte, ky komision provoi para publikut përfshirjen e Prokurorit të Përgjithshëm në shkelje të rënda të ligjit, në ortakëri me krimin e organizuar dhe në abuzime të rënda me detyrën. Patozi pohoi se gjatë këtij viti janë inkurajuar vrasësit, trafikantët, zyrtarët e korruptuar dhe, për fat të keq, janë dekurajuar forcat e rendit dhe të gjitha organet e zbatimit të ligjit në vend, për shkak të kapjes së Prokurorisë së Përgjithshme nga titullarët e saj. Për sa i takon Reformës në Drejtësi, deputeti i PD-së pohoi se ajo nuk ka asnjë lidhje me shkarkimin e shpejtë të kryeprokurorit, shkarkim që do të bëhet pas procedurave tepër korrekte pas një hetimi serioz dhe transparent para publikut. “Reforma në drejtësi apo në Prokurorinë e Përgjithshme do të vlejë për pasardhësin e Theodhori Sollakut. Ajo do të vlejë për mënyrën që në këtë vend nuk mund të ketë pushtetarë të përjetshëm dhe nuk mund të ketë mandate të përjetshme, siç është ai i Prokurorit të Përgjithshëm, të mos ketë pushtetarë të pahetueshëm dhe të pakontrollueshëm, siç përpiqen ta shesin kryeprokurorin”, - tha ai. Kërkesa, e firmosur nga 28 deputetë të mazhorancës, bazohet në nenin 149 të Kushtetutës, në nenin 7 të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë", si dhe në nenin 114 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2007