E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: “Nisma e mazhorancës, akt kriminal kundër Prokurorisë”

Autori i Lajmit: Red.Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, kërkoi dje që mazhoranca të tërhiqet nga kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Duke komentuar nismën më të fundit të shumicës, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së pohoi se ky sulm i ri kundër Prokurorisë bëhet në një kohë kur qeverisja aktuale ka të imponuar si një nga prioritetet e saj, pikërisht zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e balancave mes pushteteve. Sipas tij, po përsëritet një tentativë për të shkarkuar në mënyrë antikushtetuese Prokurorin e Përgjithshëm, sidomos në një kohë kur prokuroria po tregohet aktive dhe ka ndërmarrë hetimin e disa çështjeve për të cilat janë ngritur dyshime të mëdha, lidhur me abuzime masive me fondet publike.
Kundërshtimi
“Nisma që ka marrë Grupi Parlamentar i PD-së për ngritjen e një komisioni të ri parlamentar për shkarkimin e Kryeprokurorit Sollaku, do ta konsideronim si një klimë të re gjuetie kundër këtij institucioni”, - tha Xhufi. Sipas tij, po përsëritet për së dyti, një tentativë për të shkarkuar në mënyrë antikushtetuese Prokurorin e Përgjithshëm çka mund të konsiderohet si një akt kriminal kundër institucionit të pavarur. Numri dy i LSI-së theksoi se edhe më shqetësues është fakti që kjo tentativë e përsëritur bëhet pikërisht në një kohë kur prokuroria po tregohet aktive duke ndërmarrë disa nisma për hetim të disa çështjeve për të cilat janë ngritur dyshime të mëdha lidhur me abuzimet e fondeve publike, sikurse është çështja e prokurimeve të segmentit Rrëshen-Kalimash, privatizimi i Albtelekomit, abuzimet e bëra me fondet rezervë të qeverisë si dhe çështje të tjera, në të cilat janë implikuar pushtetarë dhe qeveritarë të sotëm. “Raporti që qeveria po krijon me sistemin e drejtësisë po kompromenton shanset e Shqipërisë për integrim në BE dhe në NATO, sidomos për këtë të fundit ku është shansi më i madh për të marrë ftesën vitin e ardhshëm”, - tha ai. Xhufi në emër të Grupit Parlamentar LSI-PDS i bëri thirrje Qeverisë që në vend të sulmeve të paprincipta dhe të jashtëligjshme kundër prokurorisë, të bashkëpunojë ngushtësisht me këtë institucion për të çuar përpara hetimet që tashmë ka ndërmarrë në bazë të denoncimeve konkrete dhe të bindë ministrat dhe qeveritarët e tjerë që të paraqiten në prokurori.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›