E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria-Kuvendit: “Hiq imunitetin e Bashës”

Autori i Lajmit: Suela TopiProkuroria e Përgjithshme zyrtarizon kërkesën për të zhveshur nga imuniteti ish- ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulzim Basha. Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ka firmosur dje në mëngjes kërkesën për heqjen e imunitetit drejtuar Kuvendit duke e depozituar në orën nëntë në sekretarinë e këtij institucioni. Në këtë dokument, përveçse kërkohet heqja e imunitetit të Bashës për t u hapur kështu rrugë hetimeve dhe për të marrë të pandehur zyrtarin e lartë, janë përpiluar edhe shkeljet që organi i akuzës i ka çmuar si abuzime të drejtpërdrejta në skandalin e rrugës Durrës - Kukës. Sipas burimeve nga Prokuroria, në kërkesë thuhet se Lulëzim Basha është personi përgjegjës, i cili ka ndjekur hap pas hapi të gjitha procedurat e tenderimit të kësaj rruge, është zyrtari që ka kryer përzgjedhjet dhe në fund gjithçka në këtë skandal mban firmën e ish- ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha.
Kërkesa
Kërkesa zyrtare për heqjen e imunitetit të ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha, iu dorëzua Kuvendit në orën 9:00 të mëngjesit të djeshëm nga Drejtoria kundër Krimit Ekonomik në organin qendror të akuzës. Në kërkesën e Sollakut agumentohet gjërësisht se ka shkelje të shumta ligjore gjatë procedurave të ndjekura për tenderimin dhe fillimin e punimeve për segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Sipas saj, Këshilli i Ministrave, i cili ka nxjerrë një sërë aktesh nënligjore, nuk ka zbatur asnjë ligj të caktuar për këtë gjë. Prokurori i Përgjithshëm saktëson në kërkesën e tij se gjatë gjithë procedurave të përzgjdhjes së firmës që do të merrej me ndërtimin e rrugës janë konstatuar shkelje të shumta ligjore, të cilat kanë sjellë humbje të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. “Nxjerrja e këtyre vendimeve nuk është bërë në zbatim të ndonjë ligji të caktuar. Një situatë e tillë antikushtetuese e bën të atakueshëm ligjërisht në çdo moment procesin e vendimmarrjes të autoriteteve shqiptare në lidhje me procedurat e ndjekura për këtë rast”, - argumenton Sollaku në kërkesën e dorëzuar tashmë në Kuvend. Ai saktëson se Prokuroria ka marrë vendim sekuestrimi për gjithë dokumentacionin që lidhet me miratimin e këtyre vendimeve dhe që ndodhet në Këshillin e Ministrave. Nga dokumentacioni i kërkuar, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ka pranuar që të vërë në dispozicion të hetimit procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Oficerët e policisë gjyqësore nuk janë lejuar të hyjnë në aparatin e Këshillit të Ministrave për të sekuestruar dokumentacionin, i cili vazhdon të mos vihet në dispozicion të organit të akuzës. Sollaku pohon më tej se përzgjedhja e konsulentit “Ecorys Group” është bërë në shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi. “Përzgjedhja e tij ka qenë e paracaktuar nga zoti Lulëzim Basha. Ky subjekt është favorizuar duke u shpallur fitues pa konkurrim dhe nga ana tjetër është favorizuar duke e paguar më shumë se kishte kërkuar vetë ai”, - shkruhet në kërkesë. Aty argumentohet më tej se pavarësisht shkeljeve dhe kundërshtimeve nga Ministria e Financave dhe Agjencia e Prokurimit Publik për procedurat e miratimit të konsulentit “Ecorys Group” dhe pagesës së parashikuar në favor të tij, Lulëzim Basha vazhdoi procedurat dhe realizoi lidhjen e kontratës me subjektin “Ecorys Group”. “Për sa më sipër, me qëllim që të vazhdojmë hetimet për veprat penale të mësipërme, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe të përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në shkeljet ligjore të konstatuara, bazuar në nenin 288/1 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë autorizim për procedim penal në ngarkim të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Lulëzim Basha”, - përfundon kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm.

Ky lajm është publikuar: 16/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›