Hetimi fokusohet në 3 pista
Vrasja e Xhindit
TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbetur përfundimisht në tri pista kryesore hetimi në lidhje me vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi, ngjarje e ndodhur të shtunën e dy javëve më parë pranë banesës së tij në bashkinë e Roskovecit.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të grupit të hetimit që po punojnë për hetimin dhe zbardhjen e krimit ndaj deputetit të zonës. Sipas tyre, tashmë janë renditur si më të mundshmet pistat e vrasjes për shkak të konflikteve të pronësisë mes deputetit socialist dhe personave të tjerë.
Ndërkaq, hetuesit kanë pyetur edhe instruktorin e qenve të gjurmëve i cili ka mbërritur me qenin e tij menjëherë pas lajmërimit të ngjarjes, aty për të ndjekur gjurmët e mundshme të autorit.
Sipas instruktorit, qeni kishte ndjekur gjurmët deri në rrugën kryesore më pas ishte ndaluar. Kjo sipas instruktorit do të thoshte se autori në këtë vend ishte ngjitur në makinë për t'u larguar.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi në bashkinë e Fierit, disa leje ndërtimi të dhëna nga kjo e fundit, mes të cilave sipas burimeve ka qenë edhe një leje e marrë nga i ndjeri Xhindi.
Dyshimet e hetuesve janë drejtuar për të zbuluar nëse ka pasur përplasje për marrjen e lejes së ndërtimit. Po ashtu hetuesit kanë marrë në hipotekë edhe dokumente të tjera pronësie për t'iu afruar sa më tepër zbulimit të problemeve dhe konflikteve të mundshme që mund të çonin drejt zbardhjes së autorit të krimit.
Po kështu, hetuesit janë drejtuar edhe në verfikimin e pistës së konlfikteve personale apo për motive të dobëta, për të parë nëse vërtet mund të kishte ndonjë konflikt, që mund të kishte shkaktuar përplasje.
Por sipas hetuesve, nuk mbetet pas as pista e vrasjes për motive politike për shkak të detyrës. Kjo e fundit ishte përjashtuar fillimisht nga organet hetimore por që është kthyer sërish në tavolinën e hetuesve.
Dy ditë më parë, policia e Fierit ka shoqëruar disa persona të cilëve iu janë marrë deklarime në lidhje me marrëdhëniet e tyre me deputetin Xhindi.
Por pavarësisht shoqërimeve pa fund duket se policia lokale ka pasur probleme jo të vogla në marrjen e informacionit nga terreni, çka shpjegon edhe mungesën e informacionit në lidhje me personat e mundshëm që mund të kenë lëvizur gjatë mbrëmjes së 2 majit në Roskovec ku u vra Xhindi.