Kreditë e buta, të pastrehët nuk pranojnë apartamentet
Vendimi për t'i dhënë apartamentet me çmimin aktual të tregut ka bërë që familjet të mos pranojnë t'i marrin
GJIROKASTËR- Familjet e pastreha të përzgjedhura bojkotojnë procesin e marrjes së apartamenteve me kredi të butë. Megjithëse afatet janë tejkaluar dhe apelet nga ana e bashkisë së qytetit kanë qenë të vazhdueshme, asnjë prej 50 familjeve përfituese nuk është paraqitur për të plotësuar formularin përkatës.
Prej disa kohësh të pastrehët në Gjirokastër refuzojnë të marrin banesa me kredi të butë, sipas kritereve të vendosura nga qeveria shqiptare, pasi sipas tyre kushtet janë diskriminuese dhe nuk ofrojnë kurrfarë lehtësie për gjendjen në të cilën ndodhen.
Kriteret e përzgjedhjes
Pak kohë më parë, qeveria miratoi vendimin për dhënien me kredi të butë të 800 apartamenteve në të gjithë vendin, prej të cilëve të pastrehët e qytetit të Gjirokastrës përfitojnë 50.
Nga informacionet e marra pranë bashkisë mësohet se në dhënien e këtyre kredive të buta për blerje apartamentesh përparësi kanë familjet që jetojnë në banesa me pronarë dhe që në pjesën më të madhe ndodhen në rrezik shembjeje.
Kështu, në bazë të vendimit të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për "Kriteret e përzgjedhjes së grupit të parë të familjeve që përfitojnë nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë", deklarohet se përzgjedhja e familjeve duhet të bëhet nga komisionet e strehimit.
Në të njëjtin vendim përcaktohen qartë edhe disa nga kriteret bazë, të cilat duhet të plotësojnë familjet e pastreha që do të përfitojnë strehim nga programet e banesave sociale me qira.
Për qytetin e Gjirokastrës janë përcaktuar 50 kuota, prej të cilave dy familje do të marrin garsoniera, 16 familje apartamente 1+1, ndërsa 32 të tjera apartamente 2+1. Ndërkaq, ka kaluar afati për plotësimin e formularit përkatës, por askush prej të pastrehëve nuk është paraqitur për ta plotësuar atë. Burime nga Bashkia e Gjirokastrës theksojnë se kjo është një situatë mjaft shqetësuese.
Ndikimi i kushteve
Duket se në bojkot kanë ndikuar kriteret e vendosura. Kjo pasi, përveç hapësirave, një element tepër i rëndësishëm në përmbushjen e kritereve zënë edhe të ardhurat minimale e ato maksimale që këto familje kanë.
Kështu, për familjet që do të marrin garsoniera të ardhurat duhet të jenë 21 709 - 33 973 lekë; familjet që do të marrin 1+1 duhet të kenë nga 30 796- 46 635 lekë të ardhura, ndërsa ato familje që do të marrin apartamente 2+1 duhet të kenë 40 427- 60 627 lekë të ardhura, ndërsa apartamentet do të blihen me vlerën aktuale të tregut.
Të pastrehët
Për të pastrehët kriteret e vendosura jo vetëm që nuk janë lehtësuese për statusin në të cilin ndodhen, por përkundrazi e rëndojnë më tepër atë. "Figuroj në listat e të pastrehëve në bashki që në vitin 1991 dhe jam ndër të parët.
Jetoj në një banesë të vjetër gjirokastrite, e cila nga dita në ditë rrezikon të shembet dhe të na zërë brenda. Kemi 18 vjet që presim, dhe për çfarë? Asnjë lehtësi nuk kemi në kushtet që na janë vënë.
Nëse të pastrehët disa vite më parë përfituan banesa duke paguar vetëm 600 mijë lekë të rinj në total, ne na duhet të blejmë shtëpi me vlerën e tregut dhe për më tepër duhet të kemi rreth 60 mijë lekë të ardhura në muaj. Ku do t'i gjejmë?
Ne jemi të papunë. Po qe se do t'i kisha këto të ardhura, atëherë do ta blija vetë shtëpinë, pa pritur nga shteti. Ne po na diskriminojnë dhe nuk e di pse",- është shprehur Ajet Sulejmani, njëri prej të pastrehëve në Gjirokastër. Në qytetin e gurtë janë rreth 800 familje që mbajnë statusin e të pastrehëve, prej të cilëve rreth 300 të kategorisë së parë.