E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër ushtarakë, dje sqarime në Prokurori

TIRANE - Katër ushtarakë u morën në pyetje dje në vazhdim të hetimeve të Prokurorisë lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Ushtarakët janë marrë në pyetje për disa orë me radhë nga grupi hetimor i ngritur për ngjarjen.

Ata kanë dhënë sqarime lidhur me kushtet e punës në fabrikën ku ndodhi shpërthimi më 15 mars të këtij viti. Ushtarakët, që mësohet se kryejnë detyra që kanë lidhje me armatimet, kanë dhënë sqarimet e tyre edhe për sasinë e municionit që është transportuar në drejtim të fabrikës së çmontimit të predhave dhe barutit në Gërdec të Vorës. Prokuroria e përgjithshme e cila më tepër së dy javë më parë mori dosjen për kompetencë, deri më tani është mjaftuar me mbledhjen e provave e dëshmive që edhe më parë ishin administruar kur dosja ishte në hetim nga Prokuroria e Tiranës. Organi i akuzës në kryeqytet, pas hetimeve 15-ditore vendosi të shpallë moskompetencën e saj dhe të kalojë fashikullin hetimor në Prokurorinë e Përgjithshme. Para se të dorëzonte dosjen, Prokuroria e kryeqytetit urdhëroi arrestimin e Ylli Pinarit, ish-drejtor i ndërmarrjes së import eksportit të armëve MEICO, Mihal Delijorgjit, pronar i firmës "Alba Demil" që kishte fabrikën në Gërdec, dhe Dritan Minxollit, drejtor teknik i fabrikës. Ata u akuzuan për shkelje të rregullave të sigurisë lidhur me lëndët ushtarake dhe radioaktive. Edhe pse hetimet kanë zbuluar shkelje të tjera nga të arrestuarit por edhe implikimin e zyrtarëve të tjerë shtetërorë, Prokuroria ende nuk ka marrë ndonjë vendim konkret në këtë drejtim për akuza apo arrestime të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›