E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Durrës, dy TEC-e dhe një rafineri për naftën

Qeveria ka në plan të ndërtojë edhe dy termocentrale të tjerë në zonën bregdetare të Durrësit.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, u miratuar studimi “Zhvillimi i integruar i zonës energjetike dhe industriale të Porto-Romanos”. Me miratimin e këtij studimi hapet drita jeshile për ndërtimin e një sërë veprash të rëndësishme në këtë zonë. Sipas këtij studimi, janë parashikuar të ndërtohen objekte energjetike dhe industriale, por për ndërtimin e tyre duhet të investohen goxha para, deri në qindra milionë euro për secilin objekt. Konkretisht, në përbërje të zonës energjetike dhe industriale të Porto-Romanos, studimi parashikon disa objekte të rëndësishme energjetike dhe industriale, ku përveç depozitave bregdetare të nënprodukteve të naftës dhe pontilit detar, është menduar të ndërtohen edhe disa objekte të tjera. Pjesë e këtij studimi janë ndërtimi i një rafinerie nafte me kapacitet përpunues 3-5 milionë tonë/vit, e cila do të ketë në përbërje të saj edhe një TEC teknologjik si dhe parkun e depozitave të naftës bruto dhe të nënprodukteve. Gjithashtu është menduar të ndërtohet edhe një termocentral tjetër me kapacitet 600 deri në 1600 MW, ose dy TEC-e me kapacitet nga 200-800 MW. Janë parashikuar dy variante për TEC-et për shkak të sipërfaqes që ato do të zënë. Eshtë parashikuar sipërfaqe për depozitat e naftës bruto, kompleks energjetik dhe industrial. Studimi parashikon edhe ndërtimin e depozitave për magazinimin e produkteve kimike të lëngët, që mund të përdorin për transport pontilin detar. Gjithashtu është parashikuar që të ndërtohet edhe një impiant për prodhimin e bio-karburanteve, si dhe ndërtimi i një kompleksi industrialo-kimik. Në tërësinë e saj, zona energjetike dhe industriale e Porto Romanos zë një sipërfaqe prej 895 ha dhe është e shtrirë në tokat e ish-kënetës së Durrësit. Ndërsa, përsa i përket prodhueshmërisë, zona përfshihet në ato me mundësi të ulët. Por kjo është vetëm një pjesë e studimit. Eshtë parashikuar që të ndërtohet edhe një naftësjellës, këtë radhë kombëtar, që do lidhë Durrësin me Prishtinën, si dhe një tjetër projekt për gazifikimin e Tiranës dhe Durrësit. Parashikohet që lidhja e Porto Romanos me autostradën e Durrësit të bëhet nëpërmjet një rruge tjetër, rreth 7 kilometra, që lidh Katundin e Ri me Shkozetin, si dhe një lidhje hekurudhore, prej 13 kilometrash në zonën e Sukthit. Në plan më afatgjatë, në Porto Romano, krahas përpunimit të anijeve të nënprodukteve të naftës, ose produkteve të tjera të lëngëta, është parashikuar edhe përpunimi i anijeve me qymyr, çimento etj. Për to mund të realizohet procesi i ngarkim-shkarkimit direkt nga toka, për të shmangur ndotjen e ambientit.

Objektet e parashikuara në studim

 Ndërtimi i depozitave bregdetare të nënprodukteve të naftës dhe pontilit detar

 Ndërtimi i një rafinerie nafte me kapacitet përpunues 3-5 milionë  ton/vit, e cila do të ketë në përbërje të saj edhe një TEC teknologjik si dhe parkun e depozitave të naftës bruto dhe të nënprodukteve.

 Ndërtimi i një termocentrali me kapacitet 600 deri në 1600 MW ose dy TEC-e me kapacitet nga 200-800 MW.

 Ndërtimi i depozitave për magazinimin e produkteve kimike të lëngët që mund të përdorin për transport pontilin detar. Ndërtimi i një impianti për prodhimin e bio-karburanteve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›