E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i emrave, PS kundër PD

Brenda kësaj jave pritet të mblidhet Këshilli për Rregulloren për të shqyrtuar amendamentet e paraqitura nga ana e demokratëve dhe socialistëve për çështjen e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit. 

BLEDAR HOTI

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, si një nga deputetët që ka paraqitur disa amendamente në emër të maxhorancës, bëri të ditur dje për “Panorama”, se së shpejti një do të merret një vendim në lidhje për amendamentet e paraqitura. Ai bëri të ditur se brenda javës së ardhshme, Kuvendi mund të votojë për ndryshimin e rregullores. Por opozita ka shprehur kontestimet e saj në lidhje me mënyrën se si operon maxhoranca në lidhje me dekretet e reja që pritet të vijnë nga Presidenti për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Socialisti Besnik Dervishi, një nga iniciatorët e tjerë të opozitës për ndryshimin e rregullores për nenin 111 të tij, u shpreh kundër shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar. “Ndryshimi i rregullores së Kuvendit duhet diskutuar gjerësisht dhe nuk duhet të hyjë në procedura të përshpejtuara. Rregullorja e Kuvendit ka vend edhe për mjaft rregullime të tjera, siç është reflektimi i ndryshimeve që janë bërë në Kushtetutë që lidhen me nenin 100, 101 dhe 109 të rregullores së Kuvendit, ndaj dhe duhet t’i nënshtrohet një diskutimi mjaft të gjerë”, deklaroi Dervishi. Por PD-ja synon që këto ndryshime t’i votojë përpara se Topi të paraqesë emrat e pesë anëtarëve për anëtarë Gjykatës Kushtetuese.
Përplasja e amendimeve PS-PD
Demokratët kanë kërkuar që të realizohet procesi i hetimit të kandidaturave që do të paraqiten, duke ndërhyrë në kompetencat e Presidentit Bamir Topi, i cili përpara se të paraqesë dekretin duhet të shohë plotësimin e kritereve të kandidatëve, në mënyrë që emrat që do të votohen në Kuvend të jenë me integritet moral. Demokratët duke shfrytëzuar vendimin e 18 janarit të 2005 të Gjykatës Kushtetuese, kërkojnë hetimin e kandidaturave të paraqitura. Beja në nismën e tij synon të shtojë një pikë të veçantë në nenin 111 të Rregullores për të mundur hetimin e kandidaturave që paraqiten. “Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu dhe meritën e çdo kandidature, duke u bazuar në kritere të matshme dhe objektive. Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, komisioni bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe publike për të zgjeruar të dhënat për çdo kandidat, bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat”, thuhet në propozimin e demokratëve. Por socialistët në amendimet e paraqitura shprehen vetëm për zhvillimin e seancave dëgjimore dhe jo për hetimin e emrave të paraqitur. Seancat dëgjimore janë të vetmet pikë që i bashkon demokratët dhe socialistët në pikën e tyre. “Ne kërkojmë dhe zhvillimin e seancave dëgjimore, në mënyrë që deputetët të informohen përpara se të votojnë për një kandidaturë, pasi nëse për dekretet e Presidentit të Republikës do të ishte zhvilluar seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, do të kishte shumë pak kurajo për të mos votuar personalitete të së drejtës, siç ishin një pjesë e mirë e kandidaturave të paraqitura për Gjykatën e Lartë”, deklaroi Dervishi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›