E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na duhet opozita e vjetër

Blendi Kajsiu 

Pavarësisht skepticizmit nëse ka ndonjë gjë të re tek “politika e re” e Edi Ramës, një risi është e pamohueshme: sot kemi një lloj të ri opozitarizmi që shpesh nga vetë PS-ja ajo quhet “konstruktive”. Kemi të bëjmë me një lloj të ri opozite, e cila ka lënë mënjanë opozicionin për të përqafuar partneritetin me ekzekutivin për hir të interesave të mëdha kombëtare, si integrimi euroatlantik apo reformimi i shtetit.   Nëse opozitat e mëparshme hidhnin ndonjë fjalë pro bashkëpunimit, por vepronin gjithë ditën kundër ekzekutivit, opozita aktuale hedh ndonjë fjalë kundër ekzekutivit, por punon gjithë ditët me të.  Ky është një fenomen tërësisht i ri në skenën politike shqiptare ...sidomos po ta krahasojmë me dy periudhat e mëparshme të opozitarizmit. Opozitarizimi i parë i PS-së dhe aleatëve të saj gjatë 1992–1996, edhe për vetë kushtet në të cilat bëhej ishte shumë më i ashpër e konfliktual. Nga pushteti i atëhershëm ai akuzohej si opozitarizëm destruktiv, që donte të kthente mbrapsht komunizmin apo të shkatërronte demokracinë. Akuza që ishin lehtësisht të besueshme, pasi PS-ja ishte pjellë direkte e Partisë së Punës dhe e shumicës së përfituesve nga pushteti i saj. Për pasojë kërkesat e saj për demokraci ishin pak të besueshme për sa kohë demokracia shikohej thjesht si e kundërta e komunizmit me të cilin PS-ja ishte e lidhur historikisht. Por, pavarësisht “destruktivitetit” të saj, opozita e 1992–1996 ishte në fakt shtylla e vetme e demokracisë shqiptare përballë një pushteti gjithnjë e më tepër autoritar dhe të pakufizuar në mungesë të institucioneve dhe traditës demokratike. Prandaj, ndonëse bojkotohet, grevat apo protestat e opozitës së atëhershme denoncoheshin, demaskoheshin apo edhe dhunoheshin, ato ishin epiqendra e demokracisë shqiptare.
    E njëjta logjikë vlen edhe për “opozitën destruktive” të PD-së, me në krye Berishën gjatë periudhës 1997-2005. Ashtu si dhe PS-ja e opozitës, dikur PD-ja vuante nga mungesa e besueshmërisë, veçanërisht si pasojë e liderit të saj Berisha.  E njëjta parti që dikur kish dhunuar opozitën dhe vjedhur zgjedhjet, tashmë kërkonte zgjedhje të lira dhe hapësira demokratike për PD-në. Prandaj, ndonëse në thelb të drejta, kërkesat e PD-së binin në vesh të shurdhër. Nëse në vitet 1992 – 1996 demokracia barazohej me eliminimin e komunizmit, në vitet e 1998-2005 ajo filloi të barazohej me eliminimin e Berishës. Në emër të pavarësisë së institucioneve, PS-ja arriti të vinte në krye të të gjitha institucioneve kushtetuese njerëzit e saj, duke mundësuar kështu vjedhjen e zgjedhjeve dhe margjinalizmin e opozitës. E gjitha justifikohej ose injorohej, pasi synonte eliminimin e Berishës dhe për pasojë çlirimin e demokracisë. 
Në kushte të tilla, opozitarizmi i PD-së veçse ashpërsohej me bojkote, greva urie, protesta dhe përplasje të forta politike. Ndonëse ky aksion opozitar quhej destruktiv, në fakt ai ishte garanti i vetëm i demokracisë shqiptare përballë një shteti të kapur nga forca në pushtet, pavarësisht ndonjë eksesi opozitar. Për sa kohë demokraci liberale do të thotë kufizim i forcës në pushtet apo ndarje pushtetesh, demokratizimi do të ndodhë jo thjesht prej, por pavarësisht forcës në pushtet. Prandaj një pjesë e mirë e konsolidimit të demokracisë shqiptare pas vitit 1998 erdhi pikërisht si pasojë e opozitës së ashpër të PD-së, që e detyroi forcën në pushtet të balanconte institucione të caktuara, duke e nxjerrë një pjesë të mirë të pjesës natyrore të shtetit jashtë kontrollit njëpartiak, jo thjesht me fjalë, por me vepra. Edhe gjatë kësaj periudhe, opozita ndonëse anatemohej ishte në fakt shtylla e demokracisë. 
Sot gjithçka ka ndryshuar. Shumë institucione, që me mjaft luftë u nxorën nga kontrolli njëpartiak, ajo po i rikthen sërish nën tutelën e forcës në pushtet. Në emër të konstruktivitetit, opozita nga kufizuese është kthyer në zgjeruese të pushtetit të ekzekutivit, oreksi i të cilit ka kërcënuar parimet më themelore të demokracisë. Ne sot qeverisemi nga një ekzekutiv, që është nën akuzë për korrupsion me pasojë vrasjen me të cilin opozita synon të reformojë drejtësinë. Ne sot kemi një kushtetutë që nesër do të eliminojë ndarjen e pushteteve, do të dobësojë parlamentin, presidencën, gjyqësorin dhe prokurorinë. Ne sot kemi një sistem politik që ndalon mbajtjen e një referendumi popullor, kur Kushtetuta ndryshon në 70% të saj. Ne ende jetojmë në një sistem politik që nuk garanton votën e lirë. Por mbi të gjitha ne sot kemi një sistem politik, ku opozita jo vetëm që nuk është më shtylla kryesore e demokracisë, por është kthyer në varrmihëse të saj. Pa opozitën, shtyllat e tjera të demokracisë shqiptare zor se mund të rezistojnë gjatë.  Prandaj sot nga “politika e re” na duhet opozita e vjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›