E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri: Kriza e frikshme e kulturës sonë

Ndriçim Kulla 

A gjendet sot libri si pjesa më e rëndësishme e kulturës sonë kombëtare në një krizë, madje të rëndë? Për nga vetë karakteristikat e Shqipërisë, një treg i vogël, një gjuhë e veçantë, pra e folur vetëm në trevat tona, libri është i destinuar të gjendet gjithmonë në një ekuilibër delikat, të paqëndrueshëm, që luhatja më e vogël ekonomike apo sociale e drejton drejt krizës. Mirëpo tani që në krizë janë pothuaj edhe sektorë të tjerë të ekonomisë, e rritja e çmimeve apo inflacioni është çështje e ditës, për librin kriza po bëhet frymëzënëse. Flitet për të gjitha llojet e krizave, por jo për këtë. E këtu nuk është çështje biznesi apo fitimi, por kryesisht e ruajtjes së statusit të kulturës dhe librit, e ruajtjes së atij ekuilibri të qenësishëm e delikat, që ka vite që po preket, për të arritur sot në një rrudhje drastike të botimeve dhe numrave të librave të rinj të hedhur në treg gjatë kësaj periudhe të fundit (mund të flasim për një zvogëlim rreth 3 herë të produktivitetit). E kjo jo për krizë të vetë sektorit, por për shkak të pasojave të rënda të të gjithë krizës, që duke rënë mbi shpatullat e dobëta të librit shqiptar, e kanë kërrusur disa herë më shumë se më parë. E megjithatë, për një gjë të tillë nuk kemi dëgjuar të shqetësohet, në asnjë radhë, në asnjë grimë, as edhe dikasteri përkatës e as Ministri i Kulturës. Një shurdhëri, për një detyrë për të cilin ai është caktuar të kryejë?! Sa muaj ka Ylli Pango si ministër? Mbi një vit, pra jo pak. Vjen nga rrethet intelektuale, por se kemi parë kurrë të sillet si i tillë, pasi i intereson më shumë turizmi, si të kishte ardhur nga rrethet e biznesit. Ka folur në çdo televizion, për shumë herë me radhë, për një milion a dy milionë turistë. Shkëlqyer, por Ministria e tij parësore ka dhe kulturën, dhe librin veçanërisht. Ndaj do të qe më mirë që ministri “të vinte bast me veten” (ose sipas fjalëve të tij, “të jepte dorëheqjen”) nëse nuk shkon kultura, libri, e jo për numrin e turistëve që do të vijnë në vend, sepse shumë gjëra në këtë sektor nuk varen prej tij, janë të ndikuara tërthorësisht nga Qeveria dhe ministri të tjera, kurse politika e librit po, i takon drejtpërdrejt ministrisë së tij. Por ç’masa ka marrë ajo, nga ana e saj t’ia lehtësojë pak barrën librit? Në një gjendje të tillë nuk duhet të kishin munguar as subvencionet e drejtpërdrejta e as ato të tërthorta. Jo vetëm kështu, por duhet të gjendeshin mënyra krijuese për t’i dhënë limfë këtij sektori. 
Prisnim të paktën, që zëri i librit që u arrit me shumë vështirësi të shprehej me ligj në buxhetin e ministrisë, t’i krijonte disa lehtësira problemeve për librin në përgjithësi e botimeve albanologjike në veçanti. Por në mungesën e thellë të transparencës mund të mendosh se; ky fond ose është devijuar, ose këtu ka paaftësi totale për ta zbatuar mbi baza prioriteti, sepse projekte të tilla ka.
Pra, ka një moskokëçarje të frikshme për librin.
E sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, atij po mundohet t’i zërë edhe atë pak frymë, një ent i sajuar enkas nga burokratët dhe ata që nuk e duan librin shqiptar dhe zhvillimin e tij, i tillë si Zyra e Regjistrimit të së drejtës së autorit.                          
U ngritën të dyja shoqatat e botuesve kundra saj, por asgjë. Çështja u la ashtu siç ishte, për t’u majisur e gangrenizuar edhe më shumë. E çështja këtu është parimore, nuk duhet menduar aspak se botuesit qenë kundra së drejtës të autorit. Përkundrazi, qenë pikërisht ata të parët që e ngritën këtë problem, veçse e kërkuan me rregulla jo centralizuese dhe tejkalim kompetencash. Le ta zëmë, ç’të drejtë autori mund të gjendet dhe të merret për Branko Merxhanin, për Mid’hat Frashërin apo Astrit Delvinën etj., etj. Kemi vite e vite të tëra që përpiqemi t’i nxjerrim në dritë si botime të veçanta mes peripecish dhe problemesh gati të pakapërcyeshme. Zef Valentini apo Anton Harapi, ishin klerikë, e punuan, e shkruan madje dhe për ajrin e Shqipërisë, e jo më për jetën, historinë dhe traditat e saj, e tash vjen një pengesë burokratike që nuk do t’i shpërhapë lirisht këto libra, ose të tjerë libra si këto me pretekstin e së drejtës së autorit. Është ky një qëndrim i segmenteve të caktuara që nuk duan të shpërhapet libri shqip? Apo mos vallë, akoma dhe më keq? Qarqe të caktuara serbo dhe greke lobojnë për t’i mëshuar e theksuar këto pengesa formale, me nëntekstin e ndrydhjes së lirisë së zhvillimit dhe rihapjes së librit shqip?     
Para disa ditësh, (më 4 Qershor), për një problem të tillë, që Bashkimi Evropian e kish ndjerë prej kohësh, arriti të nënshkruante një “Memorandum mirëkuptimi” për ato libra e drejta e botimit të të cilëve quhet jetime, ose për ato libra shtypja e të cilave nuk bëhet më. Dhe të mos harrojmë veçantinë. Këtu bëhet fjalë për Evropën e zhvilluar dhe të iluminuar, “të mbytur nga kultura e librat” dhe jo për një vend të varfër në zhvillim. Pse nuk bën pra, bie fjala, Ministria jonë e Kulturës, as përpjekjen më të vogël për t’i përfshirë këto iniciativa edhe në kontekstin e Ligjit tonë?
Akoma dhe më tej. Ka mjaft forma të reja sot të së drejtës së autorit që synojnë bashkë ndarjen sa më të lirë të dijeve. Për këtë arsye, studiues dhe intelektualë me famë ndërkombëtare janë bërë nga njëra anë interpretë të rëndësishëm të kësaj tendence gjithnjë e më mbizotëruese kulturore dhe sociale, e nga ana tjetër kanë arritur të propozojnë edhe modele alternativë.  
Po si ndihet të fryjë e gjithë kjo erë ndryshimesh në klimën shqiptare të botimit dhe tregtimit të librit? Ne marrim pjesë vërtet në WIPO (Organizata Botërore për Pronësinë Intelektuale), që nga viti 1994, por kjo gjë s’na pengon aspak, ashtu siç nuk ka penguar aq e aq vende, madje shumë më të mëdhenj e më të fuqishëm se ne, t’i përdorin avantazhet e saj edhe në tregun e librit shqiptar.
Edhe sot, përse vallë Ministria jonë e Kulturës vazhdon të mos jetë e interesuar ta lehtësojë këtë barrë, duke aderuar në organizata të ndryshme, si p.sh. Creative Commons. Pse vallë, kur tendenca botërore e jep konceptin e të drejtave të autorit në krizë, ne nuk përfitojmë si vend i vogël që jemi, por i kanosemi akoma dhe më shumë në mënyrë arrogante me hallka akoma dhe më të ndërlikuara kësaj të drejte, duke i hapur telashe të tjera librit shqip, gati duke suprimuar gjyqin, kur konflikti i kësaj të drejte është detyrë e tij dhe zgjidhet vetëm me beteja ligjore. Kjo është detyra e Ministrisë, të shohë mundësi e të përfitojë nga modelet alternativë që ofron kultura e lirë perëndimore. Kësaj i thonë vërtet të kesh dije dhe kulturë të lirë e të bësh politika për t’i realizuar ato. 
A nuk është vallë kultura dhe libri një imazh me të cilin ne kërkojmë të hyjmë në Evropë?
Para disa vitesh, libri shqiptar ka arritur të përfaqësohej denjësisht dhe me një numër të konsiderueshëm shtëpish botuese për disa vjet me radhë, në disa panaire ndërkombëtare që zhvillohen brenda vitit. Ka dy-tre vjet që shkuarja në këto panaire është bërë luks, e këtë vit gati është kthyer në nulitet. Nuk mund të ketë imazh Shqipëria kur lëngimi i kulturës e detyron të paraqitet në veprimtari të rëndësishme me 1 shtëpi botuese si edhe ndodhi para pak ditësh në panairin ndërkombëtar të Selanikut? Kjo është krizë dramatike dhe duhej të kishte patur ndërhyrje urgjente, se po të ndodhte kjo në Gjermani, Gjermania do ndjehej në krizë.
Kjo rrudhje sociale e librit do t’i japë udhë zhvillimi të ashtuquajturës “Industri e kulturës”. Pra, do të zbrazen rezervat për botime të specializuara, të domosdoshme dhe jetike, si ato që kërkojnë punë dhe investim akademik, i botimeve të veçanta të albanologjisë, historisë, për të mos thënë pastaj për seri të caktuara, ku libri shqip, pavarësisht hapave gjigandë të dekadës së fundit, gjendet në prapambetje në raport me kulturën e perëndimit, siç janë botimet filozofike, sociologjike, ekonomike, psikologjike, e kështu me radhë. Ndaj, nëse pasojat e krizës do të bien drejtpërdrejt mbi mosbotimin e këtyre librave specifikë, pra do të drejtohen kah librave të llojit “të lehtë”, me subjekte romanësh rozë, policore e të spiunazhit, që mund t’i shkojnë edhe përshtat shijes së masave dhe fitimit të shpejtë, siç po duket, atëherë krimi që po i bëhet kulturës shqiptare do të qe i drejtpërdrejtë. Eshtë detyrë e shtetit dhe ministrive përkatëse, që në radhë të parë t’i shfrytëzojnë me prioritet mundësitë që janë, pastaj të gjejnë mjete dhe risi që kjo shtresë fondamentale e kulturës së mendimit, të historisë dhe albanologjisë shqiptare të mos vdesë. Identitetin nacional, imazhin dhe paraqitjen para syve të Evropës, na e jep kjo lloj literature, madje edhe përpara turizmit. Asnjë komb nuk mund ta durojë një indiferencë të tillë. Asnjë intelektual nuk mund të durojë pa e ngritur zërin për këtë lëngim. Po a e dëgjon vallë Ministri ynë i Kulturës këtë zë brenda vetes? Apo as s’e ka shtruar ndonjëherë në mendje këtë problem? Si do të arrijnë tashmë shtëpitë botuese të botojnë p.sh. libra të llojit të klasikëve të historisë, të albanologjisë që kërkojnë një përgatitje gati akademike historiko-gjuhësore për veçantinë që kanë apo edhe më thjesht, për libra të tipit të klasikëve të filozofisë, si Hegel, Shopenhauer, Spinoza etj., apo dhe më modernët, si Hajddeger, Gadamer, Derrida, Habermas, në veprat e tyre më të rëndësishme, jo ato më pak të tilla. Mund të vazhdojmë gjatë, për segmentet në rrezik, por thelbi i këtyre shembujve është të tregojë se ka një sektor të caktuar librash, që domosdoshmërish duhet të botohet, porse kërkon një investim të madh intelektual, të zgjatur në kohë për t’u përgatitur dhe një investim monetar të konsiderueshëm me një rrugëtim shumë të ngadalshëm kthimi (ngandonjëherë edhe jo) të këtij investimi. Nëse çdo gjë lihet në dorën e tregut, pjesë të tëra të kësaj literature, që është palca kurrizore e kulturës sonë do të humbasë, nuk do ta shohë dritën e botimit, me një  humbje të çmuar të paraqitjes, përfaqësimit dhe edukimit të brezave të rinj. Ja pse është imperativ urgjent i shtetit të mos e lërë tregun të diktojë zhdukjen e copave të mëdha të identitetit tonë kulturor, aq ndihmuese në pedagogjinë dhe arsimin shqiptar. Përpara kësaj lëngate të përzgjatur të librit duhet të ishin tundur malet, kur ka më shumë se një vit që nuk po lëviz asnjë shkresë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›