Dëmshpërblimi i ish të përndjekurve, nuk përfitojnë Martirët e Demokracisë
Qeveria e paraqiti me bujë ligjin për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të sistemit komunist, të cilin e përfundoi në fund të vitit 2007 dhe e ndryshoi në prill të vitit 2009. Nuk janë në të njëjtën linjë të dënuarit politikë të sistemit të kaluar, të cilët mendojnë se ligji ka vend për ndryshime, sidomos me gjetjen e rrugës ligjore për të futur aty edhe kategoritë e personave që nuk janë dënuar me vendim gjykate. Sipas tyre, edhe pse ky ligj ka objekt dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike, klauzolat e tij, ku kërkohen vendime të formës së prerë të gjykatave apo organeve speciale, përjashtojnë automatikisht personat që kanë vdekur në tortura, por u referuan si vdekje natyrale ose të emetuara, apo janë ekzekutuar me urdhra verbalë. Kjo bën që të ngelen jashtë edhe persona të dekoruar nga ish-presidenti i republikës, sot Kryeministër i Shqipërisë me medaljen “Martir i Demokracisë”. Rasti flagrant është ai i Sadri Sokolit, njohur ndryshe edhe si Sandër Sokoli, truri i organizimit të revoltës në Burgun e Qafë-Barit, 18 kilometër larg qytetit të Pukës, plot 26 vjet më parë.
ProcesiDuket se nga mbi 17 mijë dosje të paraqitura, 5 mijë prej tyre nuk e kanë të drejtën e dëmshpërblimit, pasi ligji nuk ua mundëson këtë. Specialistët mendojnë se edhe pse këtij ligji iu bënë ndryshime vetëm një vit më parë, përsëri ai ka nevojë të rishitet ose të nxirren akte nënligjore, ku nëpërmjet tyre të kenë mundësinë e dëmshpërblimit edhe disa kategori që nuk përfshihen aktualisht. Nga sa shihet, më të lehtë e kanë pasur plotësimin e dokumentacionit dhe të përfitojnë personat e internuar ose të dëbuar në kampe, të mjekuar në spitale dhe sidomos ata psikiatrikë, të dënuarit në procese të bujshme politike, ku vendimet e gjykatave janë publikuar. Më në vështirësi, se të sipërcituarit, kanë qenë persona të tjerë, që janë arrestuar nën akuza të agjitacionit e propagandës apo tradhtisë ndaj atdheut, e spiunazh. Për një numër të konsiderueshëm gjenden gjurmë në proceset gjyqësore, por shumë pak gjëra dihen për hetuesitë, pasi ato organizoheshin në fshehtësi dhe nuk merrej hapur vendimi për hetimin e tyre. Gjatë ushtrimit të dhunës, një pjesë e tyre kanë humbur jetën, por nga dokumentacioni i mbajtur mjekët i kanë paraqitur këto raste si vdekje aksidentale, natyrale, vetëvrasje, apo dhe kur nuk donin ta përcaktonin shkakun e shënonin si “vdekje të emetuar”, pra të paverifikueshme.
Ligji ngarkon me paraqitjen e “barrës së provës”, pra me plotësimin e dokumentacionit nga familjarët, kur shteti i ka në dorë burimet arkivore për të gjetur të dhëna për atë çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre. Që këtu duket se do të kishte sorollatje sa andej këndej nëpër institucione, që shpesh nuk e kanë me qejf të shërbejnë, por të japin përgjigje të “thata” zyrtare se “nuk disponojmë të dhëna për këtë person”. Sipas specialistëve, përjashtim ndër ta bën sektori i Arkivit Shtetëror të Sistemit, por dihet se jo çdo dokument i nevojshëm mund të gjendet atje.
U vendosën afate për dorëzimin e dokumentacionit, kur ai gjendej me shumë vështirësi në arkiva. Specialistët, brenda 35 ditëve, pasi shqyrtonin me themel dosjen duhet të jepnin vendimin, i cili jo në pak raste ka qenë mangësi në dokumentacion.
LigjiPërcaktohen me ligj kategoritë që marrin dëmshpërblim. Në nenin 4 të tij shkruhet se “marrin shpërblim të dënuarit ose familjarët e viktimave të dënuar, të ekzekutuar apo pushkatuar, të dënuar kapitalë, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jetë izoluar në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991”. Në pikën e dytë të këtij neni përcaktohet se përfitojnë dëmshpërblim edhe ata persona që u është hequr liria, janë izoluar në hetuesi apo në një institucion mjekësor psikiatrik, me vendim gjyqësor të formës së prerë apo me urdhër të hetuesisë, të jetë për shkak të një vepre penale politike, që përcaktohet në nenin 5 të ligjit. Kjo pikë lë pa përfshirë në skemën e dëmshpërblimit mijëra të tjerë, familjarët e të cilëve nuk kanë mundësinë të gjejnë urdhrat e hetuesisë, apo dhe dokumentacion tjetër që të zbardhë atë që ka ndodhur me njerëzit e tyre. Në ligj përcaktohen se cilat quhen vepra penale politike dhe radhit aty nene të ligjeve që zënë fill që në dhjetor të vitit 1944, disa nene të ligjit “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake” të vitit 1945, ligje të viteve 1946-1950, apo dispozitat e Kodeve Penale të viteve 1952, 1977, 1981 dhe të tjera.
#