Hetimi, i njëjti person vodhi dy filialet e bankës “Raiffeisen”
Vjedhja e filialeve të bankës “Raiffeisen” është realizuar nga i njëjti person. Ky është dyshimi i ngritur nga grupi hetimor pas gjetjes dhe ekzaminimit të disa provave në vjedhjen e filialit të kësaj banke në rrugën “Bardhyl”. Burime të rezervuara bëjnë të ditur se gëzhoja e gjetur nga ekspertët e Kriminalistikës në rrugën “Bardhyl” pas vjedhjes së filialit, rezulton të jetë e dalë nga e njëjta armë që është shkrehur gjatë vjedhjes së një tjetër filiali të po kësaj banke, por në një tjetër zonë të kryeqytetit. Rezultati i dalë nga laboratorët e Kriminalistikës pas ekzaminimit të gëzhojës vërteton faktin se autori i vjedhjeve është i njëjtë. Tashmë grupi hetimor është duke studiuar me detaje çdo element që mund të çojë në identifikimin e autorit të këtyre dy grabitjeve, të cilat dyshohet të kenë të njëjtin autor për shkak të përdorimit të së njëjtës armë gjatë grabitjes, por edhe të përdorimit të së njëjtës taktikë pas grabitjes, asaj të qëllimit në ajër me pistoletë. Në të dyja vjedhjet, sipas burimeve, është vepruar njëlloj. Pasi grabitësi ka hyrë në filial i ka drejtuar armën arkëtares, ka marrë shumën që ajo dispononte dhe më pas është larguar i qetë. Edhe në këtë rast, mësohet që ai të ketë qëlluar në ajër për të trembur punonjësit, duke lënë një provë të rëndësishme pas. Vjedhja e filialit të “Raiffeisen Bank” te Zogu i Zi ka ndodhur në korrik të këtij viti dhe për atë ngjarje nuk është ndaluar asnjë person. Në atë grabitje me armë nga një person i maskuar u vodhën 300 mijë lekë, ndërsa në filialin e bankës në rrugën “Bardhyl” janë vjedhur 800 mijë lekë. Edhe në këtë grabitje, autori ka qëlluar me armë në ajër, duke kërkuar nga punonjëset e bankës paratë që gjendeshin në kasa. Sipas të dhënave për këtë grabitje, autori, i cili mbante një pistoletë në brez, ka hyrë në filialin e bankës pak minuta para se dega të mbyllte orarin zyrtar të punës dhe i është afruar sportelit më të afërt të derës. Ka qëlluar një herë në ajër, duke bërtitur se kjo ishte një grabitje dhe të gjitha lekët që gjendeshin duhet t’i jepeshin atij. Punonjësit që gjendeshin te sporteli i janë bindur urdhrit të tij, duke mos e kundërshtuar. I kanë dhënë paratë që kishin në kasë, kryesisht lekë shqiptare, i cili, pasi i mori me një qeskë, doli nga dera e bankës dhe u zhduk në pjesën e sipërme të qytetit. Në të dyja rastet, kamerat kanë evidentuar që autori është një djalë i ri, i cili nuk mund të identifikohej për shkak të maskës. Por, tashmë në duart e organit hetimor ekziston një provë e rëndësishme, që autori i vjedhjes së dy filialeve është i njëjti, pasi edhe arma e përdorur dhe taktika e ndjekur është po e njëjta. Një fakt i tillë rezultoi gjatë ekspertizës së gëzhojave të gjetura në dy vendngjarjet, të cilat kanë rezultuar të kenë dalë nga e njëjta shkrepje arme.