E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli i kërkon Ramës të tjera dokumente

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ajo i ka dërguar dje prokurores së Përgjithshme një letër ku i kërkon sqarime lidhur me pretendimin e organit të akuzës se Forcat e Armatosura nuk janë të përfshira në tragjedi. Në letrën drejtuar kryeprokurores janë renditur 9 pika për plotësim dokumentesh

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkon të tjera dokumente nga Prokuroria për tragjedinë e Gërdecit. Ajo i ka dërguar dje Prokurores së Përgjithshme një letër ku i kërkon sqarime lidhur me pretendimin e organit të akuzës se Forcat e Armatosura nuk janë të përfshira në tragjedi. Në letrën drejtuar kryeprokurores janë renditur 9 pika për plotësim dokumentesh. Topalli sqaron në letër se duke iu referuar deklaratave të bëra në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nga ish-ministri Fatmir Mediu, ka rreth 30 dokumente zyrtare që faktojnë të kundërtën e këtij konkluzioni të Prokororisë. Kryeparlamentarja shprehet se është në detyrimin e organit të akuzës t i paraqesë Parlamentit dokumentet e plota që provojnë pretendimin e akuzës se Forcat e Armatosura janë anashkaluar nga Mediu në çështjen e Gërdecit, çka përbën edhe një nga shtyllat kryesore të kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Mediut.
Letra
Duke Ju siguruar se Kuvendi i Shqipërisë është i angazhuar të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme institucionale organit të Prokurorisë në procesin e hetimit të tragjedisë së Gërdecit, në të cilën gjetën vdekjen 26 veta e pati të tjerë të plagosur, më duhet të theksoj se, siç jeni në dijeni, dosja juaj që paraqitët për heqjen e imunitetit të z. Mediu, pa përjashtim nga të gjithë deputetët, të mazhorancës dhe opozitës, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, u konsiderua e mangët për të faktuar pretendimet e kërkesës suaj. Këto vlerësime të anëtarëve të Këshillit u shprehën publikisht në media. Në mënyrë të veçantë, jo i bazuar është gjetur pretendimi juaj se në proces nuk janë përshirë Forcat e Armatosura. Zoti Mediu ka deklaruar para Këshillit se janë rreth 30 dokumente zyrtare që faktojnë se çdo gjë është e miratuar, e përcaktuar nga autoritetet ushtarake të të gjitha niveleve sipas detyrës. Shtoj se, shumë nga këto dokumente janë botuar në organet e shtypit ose paraqitur në mediat elektronike. Është në detyrën tuaj t i paraqitni Parlamentit dokumentet e plota, të cilat faktojnë pretendimin tuaj për mospërfshirjen e Forcave të Armatosura në këtë proces, në mënyrë që ky Parlament të gjykojë e të marrë vendimin që duhet. Në media janë botur dokumente që vërtetojnë katërcipërisht se autoritetet ushtarake janë të përfshira në çdo etapë të këtij procesi nga fillimi deri në momentin e eksplozionit katastrofik. Këto autoritete janë hartuesit e vendimit 138 të Qeverisë, të urdhrave dhe udhëzimeve, të përzgjedhjes së vendit, të çmontimit në përgjithësi dhe predhave të kalibrave të mëdha në veçanti, në ruajtjen e tij, si dhe në transportin e municioneve. Për të shmangur çdo lloj keqkuptimi për njëanësi, duhet të sillni çdo dokument për këtë çështje dhe të faktoni ku është shmangur autoriteti ushtarak, meqë në përzjedhjen e vendit, në transportin e qindra tonë predhave në ditë, të të gjithë kalibrave, me vizitat në vendngjarje, në ruajtjen e vendit, e deri në dërgimin e fadromave e kontenierëve, dokumente të bëra publike në media, provojnë se në këtë çështje janë përfshirë, kanë pasur dijeni, kanë firmosur në të gjitha dokumentet që përbëjnë bazën e procesit që solli atë katastrofë, autoritetet ushtarake të të gjitha niveleve të vendit. Për të plotësuar dosjen, mbi bazën e kërkesave së deputetëve, kërkohet:
1. Praktika shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, etj) e Urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes nr.550, datë 25.4.2007 “Për zbatimin e Vendimit nr.138, datë 25.4.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”.
2. Detyrat që ka lënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat që ai ka nxjerrë në zbatim të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25.4.2007.
3. Shkresa nr.7395, datë 17.9.2007 e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtuar ministrit të Mbrojtjes dhe praktika shoqëruese e saj.
4. MEMO e datës 22.11.2007 nga drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
5. MEMO e datës 22.11.2007 nga drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar ministrit të Mbrojtjes nëpërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
6. Praktika shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, etj) e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr.2044, datë 7.12.2007 “Për zbatimin e Vendimit nr.138, datë 25.4.2007 të Këshillit të Ministrave “Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO”
7. Detyrat që ka lënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat që ai ka nxjerrë në zbatim të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr.2044, datë 7.12.2007.
8. Dokumentacioni që rregullon licencimin e depove të armatim municioneve.
9. Komunikatat ditore të Qendrës Operacionale për lëvizjen dhe transportimin e municioneve për në Gërdec si dhe raportin e Ministrisë së Mbrojtjes, Qendra Operacionale e Mbrojtjes datë 23.03.2008. Duke ju siguruar se Kuvendi i Shqipërisë shpreh interesin më të madh për hetimin më të plotë të kësaj çështjeje, ju lutem, znj.Prokurore e Përgjithshme, të merrni masa që këto dokumente të vijnë në kohën më të shkurtër të mundshme, në mënyrë që ky Kuvend të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›