Policia rikthen në Francë, dy makinat e trafikuara në Tiranë
TIRANE – Policia e Tiranës dorëzoi dje tek autoritetet franceze dy makina të vjedhura dhe të trafikuara, të cilat janë bllokuar kohë më parë në kryeqytetin shqiptar. Një “Fiat Punto” dhe një makinë e markës “Renault Espace” të bllokuara pasi ishin trafikuar në Tiranë, përmes një marrëveshje me autoritetet franceze u janë kthyer pronarëve të tyre të ligjshëm. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Tiranës, mësohet se seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme pranë kësaj Drejtorie, bazuar në një akt-marrëveshje mes palëve, përmes përfaqësuesve të policisë franceze pranë ambasadës përkatëse në Tiranë, ka realizuar veprimet hetimore dhe procedurale, për kthimin e automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, por të sekuestruara në Tiranë. “Specialistët e këtij seksioni, ditën e djeshme kanë mundësuar ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Tiranës, për kthimin e automjeteve, në shtetin ku ato janë vjedhur. Konkretisht automjeti tip “Fiat Punto” me targë 560 AFZ dhe automjeti tip “Renault Espace” me targë 1130 XH 76", thanë burimet zyrtare nga policia e kryeqytetit. Sipas tyre, këto dy automjete ju dorëzuan nëpërmjet asistencës së dhënë nga përfaqësues të policisë franceze në Tiranë, pronarit të ligjshëm. Policia deklaroi dje se në bashkëpunim edhe me ambasadën daneze e atashuar në Tiranë, specialistët e seksionit kundër Trafiqeve kanë mundësuan ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për sekuestrimin në Tiranë të automjetit “Benz Mercedes” me targë DJ 79395. Kjo makinë rezulton të jetë vjedhur në Norvegji në vitin 2007 pasi ishte në pronësi të një kompanie sigurimesh atje. Burimet zyrtare të policisë thanë se, nga seksioni kundër Trafiqeve vazhdon punën intensive për plotësimin e dokumentacionit të mjeteve të sekuestruara, duke bashkëpunuar me misionin Interforcë të policisë italiane, me qëllim kthimin e disa automjeteve të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilat janë bllokuar e sekuestruar në Tiranë. Të gjitha mjetet ishin vjedhur jashtë vendit nga shtetas shqiptarë ose të huaj, ndërsa janë bllokuar nga policia në Tiranë gjatë kontrolleve rutinë të bëra në rrugë. Pas bllokimit të tyre, përmes zyrës së Interpolit është verifikuar vendi ku janë vjedhur makinat dhe menjëherë janë lajmëruar autoritetet përkatëse dhe pronarët e automjeteve.