Hetoi pronat e krimit, transferohet te Task-Forca
• TIRANE – Prokurori i Krimeve të Rënda, Ardian Braho i cili ka drejtuar edhe Zyrën e Hetimit të Pasurive të Vendosura nga Krimi, transferohet me detyrë në Zyrën e Hetimittë Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit e njohur si Task-Force, në Prokurorinë e Tiranës. Transferimi i prokurorit Braho në detyrën e re është bërë me urdhër të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, në kuadër të plotësimit të stafit të Njësisë Task-Force Antikorrupsion dhe fuqizimit të kësaj strukture. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave pritet që ditët e ardhshme në Njësinë Task-Force të transferohen edhe dy prokurorë të tjerë, kësaj radhe jo nga Tirana apo nga Krimet e rënda, por nga Prokuroritë e rretheve që kanë më pak ngarkesë me dosje. Sipas burimeve zyrtare, pavarësisht faktit se organika e Njësisë Task-Force nuk është plotësuar ende me prokurorë, transferimet në këtë strukturë nuk janë bërë vetëm për të plotësuar numrin e kërkuar të prokurorëve. Të gjitha emërimet dhe transferimet e prokurorëve apo hetuesve që kanë marrë detyra pranë Task-Forcës në Tiranë, janë bërë me kujdes të veçantë. Që në momentin e krijimit të Njësisë Task-Force, vitin e kaluar, kanë qenë përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Tiranë dhe ata të Komisionit Evropian që kërkuan të bëhej kujdes maksimal me emrat e prokurorëve dhe oficerëve që do të punonin në Njësinë e Hetimit Antikorrupsion. Për këtë shkak organika e Njësisë Task-Force qëndroi për disa muaj me radhë e pa plotësuar pasi Prokuroria e Përgjithshme po analizonte dhe po vlerësonte me imtësi prokurorët që do të angazhoheshin aty. Në këtë mënyrë, pak ditë më parë në Njësinë Task-Force është emëruar prokurori Armand Gurakuqi, me një përvojë të gjatë në hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Tiranë. Gurakuqi më parë ushtroi detyrën e prokurorit të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Prokurorinë e kryeqytetit. Pas tij, është Ardian Braho prokurori që ka marrë detyrën në Njësinë Task-Force. Përveç hetimit në dhjetëra dosje penale kundër grupeve të ndryshme kriminale, Braho prej tri vitesh ka drejtuar Zyrën e Hetimit të Pasurive të Vendosura nga Krimi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kjo strukturë përgjatë ekzistencës së saj ka sekuestruar çdo vit më shumë se 12 milionë euro pasuri dhe prona të ndryshme që u përkisnin personave të arrestuar për trafiqe apo veprimtari fitimprurëse të krimit të organizuar. Pas transferimit të prokurorit Ardian Braho në Njësinë Task-Force Antikorrupsion, drejtimin e Zyrës Kundër Pronave të vendosura nga Krimi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e ka marrë prokurori Adnand Xholi. tr.so