E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetues privatë edhe në Shqipëri

Koha kur çdokush që është i interesuar, mund të pajtojë një detektiv privat për të hetuar krimet apo konfliktet duket se nuk do të jetë e largët edhe në Shqipëri. 

Trazhgim Sokolaj

Nëse Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, pranojnë të hartojnë projektligjin dhe nëse Parlamenti e miraton atë, atëherë në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të përparuara të botës, do të krijohet Dhoma Kombëtare e Hetuesve Privatë. Iniciativa vjen nga Avokati i Popullit. Sipas burimeve zyrtare nga ky institucion, Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë shqiptare i është propozuar tashmë iniciativa për përgatitjen e një ligji “Për hetuesin (investigatorin) privat”. Bashkë me propozimin për përgatitjen e ligjit, Avokati i Popullit ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë edhe një model të mundshëm ligji, duke u bazuar në atë që përdoret aktualisht nga Italia. 
Propozimi
Prej disa vitesh pranë Avokatit të Popullit, qytetarët kanë depozituar dhjetëra ankesa të cilat në thelb të tyre ngrenë çështjen e nevojës për njohjen e institucionit të “hetuesit ose detektivit privat”. Kështu janë shprehur burimet zyrtare nga Avokati i Popullit, sipas të cilave hetuesi privat mund të veprojë në rastet kur policia kriminale apo Prokuroria nuk kanë arritur të zbulojnë veprat penale që kanë cenuar të drejtat themelore të qytetarëve. “Një hetues i tillë apo një grup hetuesish privatë, të angazhuar me të ardhurat e qytetarëve apo familjeve të interesuara mund të hetojnë autorët e një vrasje, një grabitjeje, vjedhjeje apo aksidenti. Ky organizëm privat të jetë i njohur nga shteti, të ketë kompetenca të caktuara sipas Kodit të Procedurës Penale. Ky kod do të caktojë se çfarë dhe si do të trajtohen provat që do të mbledhë hetuesi privat”, thuhet në propozimin e bërë nga Avokati i Popullit. Sipas tij, ligji i posaçëm për këtë organizëm privat do të caktojë mënyrën e organizimit të këtij instituti (dhoma e hetuesve privatë), juridiksionin, të drejtat dhe detyrimet, kompetencat e këshillit kombëtar, të ministrit të Drejtësisë, kushtet për të ushtruar profesionin e hetuesit privat, objektin e aktivitetit të tij, shpërblimin dhe procedurat për marrjen e masave disiplinore.
Hetuesi privat
Ndryshe nga shumë prej vendeve perëndimore të përparuara në Shqipëri ende nuk njihet dhe nuk funksionon ndonjë organizëm i hetuesve privatë. Ky në fakt është një profesion i vjetër dhe  zhvilluar në vendet perëndimore ku mund të përmenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku organet e drejtësisë marrin në konsideratë dhe njohin provat e mbledhura në mënyrë të ligjshme nga detektivët privatë. Sipas juristëve shqiptarë, hetuesit privatë mund të ndihmojnë në zbatimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë. “Në rastin e një vrasje apo një vjedhje të pazbuluar nga Policia Kriminale apo Prokuroria, hetuesit privatë mund të angazhohen me tarifat e paguara nga familja e viktimës për të zbuluar dhe dërguar në gjyq autorin e vrasjes apo vjedhjes. Nëse ky organizëm krijohet me ligj, atëherë gjykata duhet t’i njohë provat e ligjshëm të mbledhura nga hetuesi privat e në bazë të tyre të dënojë autorin e krimit”, pohojnë juristët. Ndërkaq, sipas Avokatit të Popullit, krijimi i Dhomës Kombëtare të Hetuesve Privatë mund të ketë efekt pozitiv edhe në kuptim të nxitjes së konkurrencës dhe cilësisë së hetimeve me Policinë e Shtetit me qëllim zbulimin e autorëve të krimeve.

Detektivët për hetimin e krimeve, divorceve e konflikteve të pronësisë

TIRANE – Propozuesit për përgatitjen e ligjit që do të rregullojë veprimtarinë e hetuesve private në Shqipëri, mendojnë se krijimi i një organizmi të tillë ndikon edhe në uljen e korrupsionit. Policia dhe Prokuroria në fakt, përfliten për këtë fenomen në rastin e hetimit të krimeve penale ndërsa Avokati i Popullit thekson se hetuesit privatë mund të kenë ndikim edhe në uljen e nivelit të kriminalitetit. Detektivët privatë në vendet ku organizma të tillë ekzistojnë, janë vlerësuar si efektivë jo vetëm në hetimin e krimeve penale si grabitjet, vrasjet, vjedhjet e pasurisë apo aksidentet por edhe në proceset gjyqësore të divorceve kur prindërit kërkojnë të drejtën mbi fëmijët, apo në rastet e mosmarrëveshjeve të pronësisë kur detektivët gjejnë prova dhe i paraqesin ato në gjykatë duke u përpjekur të argumentojnë të drejtën e pronësisë për palën që i ka angazhuar ata në hetimin e çështjes. Hetimi i këtyre rasteve nga një organizëm i tillë parashikohet të jetë më efektiv për shkak se pala e interesuar do të paguajë drejtpërdrejt hetuesit privatë, të cilët në këtë rast janë të kushtëzuar më tepër për të zbardhur krimin apo konfliktin që hetohet.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›