Miratohet plani urbanistik i jugut
Qeveria i ka dhënë ‘OK’ dje planit për zhvillimin e bregdetit jugor në vend. Gjatë mbledhjes së KRRT-RSH-së kreu i qeverisë Berisha deklaroi se, nuk do të lejohet të ndërtohet asnjë objekt që nuk i plotëson kriteret e përcaktuara në këtë plan. Madje, sipas tij, edhe në rastet kur pronarët e ullishtave do të tentojnë të djegin ullishtat për t’i kthyer ato në troje ndërtimi, qeveria nuk do të lejojë ndërtimin e objekteve. “Në mënyrë absolute nuk do të lejohet ndërtimi në zonën e ullishtave të djegura. Është një praktikë që i djegin ullishtat për t’i kthyer në truall, por nëse ullishta digjet, do të mund të ndërtohet vetëm pasi të rritet ullishta e re”, tha kreu i qeverisë. Me miratimin e këtij plani për herë të parë, nuk do të lejohet ndërtimi i ndërtesave shumëkatëshe pranë bregdetit dhe kjo vetëm e vetëm që të ruhet peizazhi i bukur. Madje, edhe objektet që do të ndërtohen nuk do të jenë të larta dhe do të ndërtohen sipas karakteristikave të zonës. Sipas Majkëll Braman, përfaqësues i kompanisë angleze, “HBA” (Huszar Braman and Asossiates), në planin e zhvillimit të bregdetit të jugut përcaktohen kriteret e veçanta kufizuese dhe rigoroze për ndërtimet në majat e kodrave në përputhje me kriteret e peizazhit dhe mjedisit. Në zonat ullishte lejohen vetëm ndërtimet e lehta të përkohshme dhe të montueshme me materiale të lehta mundësisht druri dhe xhami, që nuk dalin mbi kurorën e ullinjve. Pro masterplanit të zhvillimit të zonës së bregdetin jonian, ishte edhe shoqata e arkitektëve. Arben Biçoku, përfaqësues i kësaj shoqate u shpreh dje se, “Pajtohemi plotësisht me këtë plan. Por do ishte akoma dhe më mirë nëse miratohej edhe për bregdetin e Adriatikut, në mënyrë që të mos ketë më ndërtime të papëlqyera”. Gjithashtu Biçoku kërkoi që edhe në pyjet e tjera përveç ullishtave, të mos ndërtoheshin ndërtime jashtë kritereve të planit, madje ato duhet të kryhen 100 metra larg bregut, si dhe duke llogaritur edhe 10 metra distancën ku duhet të pushojnë pushuesit. Ndaj kësaj kërkese u shpreh pro edhe kreu i qeverisë. Ndërkohë një tjetër risi që solli ky plan është edhe fakti se u delegon qeverive vendore detyrën e hartimit të planeve lokale dhe thellon më tej pjesëmarrjen publike në diskutimet. “Bregu shqiptar përballet me dy fenomene, batërdinë e Ksamilit dhe mungesën e plotë të ndërtimeve nga qafa e Llogorasë deri në Lukovë. Natyrisht bregu është një pasuri e madhe kombëtare, ndaj duhet të zhvillohet në përputhje me standardet dhe kriteret më të mira të zhvillimit”, u shpreh kryeministri.
KRRTRSH
Në mbledhjen e djeshme të KRRTRSH-së u miratua edhe plani i studimit të zonës për zhvillimin e turizmit në Radhimë-Orikum. Ky plan është një kontribut i përbashkët financiar i Bashkisë së Orikumit dhe qeverisë. Qëllimi i këtij plani është t’i paraprijë zhvillimit turistik të zonës dhe krijimit të kushteve për një turizëm bashkëkohor, por edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe ekosistemit natyror të zonës. Kryeministri Berisha vlerësoi se, “ky plan është një domosdoshmëri për zonën e Orikumit dhe Radhimës, nga zonat më të bukura turistike të vendit”. Sipas kontrolleve të kryera në këtë zonë, janë të ndërtuara gati 250 objekte pa leje, ku një pjesë e mirë janë ndërtesa për shtëpi pjesa tjetër hotele etj. Në mbledhjen e djeshme gjithashtu u miratua edhe studimi urbanistik për objektin “fabrika e çimentos Colacem, Albania”, në komunën Balldre, Qarku Lezhë. U miratua edhe sheshndërtimi për objektin “Impianti i dekantimit të naftës CTF”, në fshatin Marinzë, komuna Kuman-Fier.
Vendimet e miratuara nga KRRTRSH-ja
Detyra e projektimit dhe studimi rajonal e mjedisor për “Plani për zhvillimin e bregdetit jugor të Shqipërisë”.
Detyra e projektimit për studimin e zonës për zhvillimin e turizmit Radhimë-Orikum.
Studim urbanistik për hidrocentralin e Kalivaçit mbi lumin Vjosë. Shesh dhe leje ndërtimi për objektet ndërtimore të këtij HEC-i.
Studim urbanistik pjesor për kompleksin rezidencial në Velipojë.
Studim urbanistik për objektin “Fabrika e çimentos Colacem Albania”, në komunën Balldre, Qarku Lezhë.
Ndryshimi i studimit urbanistik sheshit dhe lejes së ndërtimit për fazën e dytë të fshatit turistik në zonën turistike Golem, për shoqërinë “Mak-Albania”.
Shesh ndërtimi për objektin “Impianti i dekantimit të naftës CTF”, në fshatin Marinzë, komuna Kuman-Fier.
Shesh ndërtimi për objektin “Gropa Ekologjike për depozitimin e dherave të kontaminuara të puseve të naftës” në fshatin Marinzë.
Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Uzina e Petëzimit Al-Celik-Vega”, në fshatin Laç, Qarku Lezhë.
Studim urbanistik dhe shesh ndërtimi për objektin “Qendër tregtare megatek”, Katundi i Ri, komuna Kashar.
Studim urbanistik për zonë tregtare dhe treg bujqësor dhe shesh ndërtimi për objektin “Euromax distribucion centre”, Katund i Ri, komuna Kashar.
Ndryshim destinacioni me studimin urbanistik të zonës nga hotel turizmi deri tek kanali i Cukës, nga objekt kulti në objekt banimi.
Miratohet studimi për HEC-in e Kalivaçit
Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë miratoi edhe studimin urbanistik për hidrocentralin e Kalivaçit mbi lumin Vjosë. Qeveria miratoi leje dhe shesh ndërtimi për objektet ndërtimore të këtij hidrocentrali. HEC-i i Kalivaçit do të ndërtohet mbi lumin Vjosë në afërsi të fshatit Kalivaç, rreth 15 km larg qytetit të Memaliajit, 30 km nga qyteti i Tepelenës dhe 50 km nga qyteti i Vlorës. Ky HEC do të shfrytëzojë rënien nga kuota 70,4 metra deri në kuotën e 110 metrave mbi nivelin e detit. Hidrocentrali i Kalivaçit është parashikuar të ndërtohet në një periudhë 3-vjeçare. Ai do të ketë një fuqi të vendosur rreth 92,4 GW dhe do të prodhojë mesatarisht në vit 350 GWH. Sipas marrëveshjes së koncesionit të hartuar midis marrësit të koncesionit dhe qeverisë shqiptare 10 për qind e sasisë së energjisë elektrike të prodhuar, do të jepet dhuratë koncesioni sistemit energjetik shqiptar, ndërsa pjesa tjetër është e drejtë e koncesionarit që ta japë për sistemin energjetik shqiptar apo ta eksportojë.