E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, mësime nga “lajmi” kosovar!

HENRI ÇILI * 

Kosova bëri dje lajm jo aq për faktin që Sejdiu e Thaçi u nisën të takojnë presidentin Bush, jo për faktin që konferenca e donatorëve për Kosovën mblodhi më shumë fonde nga sa pritej, por për diçka tjetër: qeveria e Kosovës, pas një raporti vlerësim – akreditimi të “British Council”, vendosi t’u ndalojë për këtë vit të gjitha universiteteve private të rekrutojnë studentë për shkak të mospërmbushjes së standardeve akademike, përjashto Universitetin Amerikan të Kosovës.
Qeveria po ashtu vendosi të japë një shans të dytë këtyre operatorëve të arsimit të lartë privatë në Kosovë të aplikojnë sërish pas përmbushjes së standardeve, si dhe vendosi që edhe Universiteti Publik i Prishtinës t’i nënshtrohet të njëjtës procedurë akreditimi, duke filluar nga tetori i 1998-ës. Lajmi ka një rëndësi jetike në vlerë absolute, edhe pse ky vendim i qeverisë mund të kishte qenë më i drejtë, më i shkallëzuar dhe më elastik. Ai demonstron përgjegjshmërinë e qeverisë së Kosovës për të ndërmarrë reforma të tilla në vend, të cilat i përgjigjen standardeve dinjitoze perëndimore, metrin e së cilave mbi sistemin universitar privat kosovar e mbajtën anglezët e “British Council”.

    Para se të dalim tek mësimet e mëdha që lajmi kosovar për Shqipërinë, dhe pasi i kemi dhënë qeverisë së Kosovës të gjitha meritat për një akt të tillë, ia vlen të ndalemi tek dy a tre defekte jo pa rëndësi në vendimin e qeverisë së Kosovës. Së pari, është bërë akreditimi vetëm i sistemit privat universitar, kur është e domosdoshme që akreditimi të kryhet me parimin “një kut, një masë” për të gjithë sistemin universitar, pavarësisht nëse pronar është “privati” apo “shteti”. Në mënyrë të patolerueshme qeveria ka favorizuar veten, pra universitetin publik, pa marrë në një njëjtën kohë përgjegjësitë e saj për cilësinë e sistemit publik universitar. Vlerësimi i të gjithëve do të krijonte një pamje të qartë për të gjithë sistemin. Kjo ndarje krijon iluzionin e gabuar se sistemin publik është mirë, kurse ai privat është keq. Ndërkohë që e vërteta mund rezultojë krejt ndryshe.

Nga ana tjetër vendimi radikal për t’i ndaluar të gjithë, përveç njërit, për të rekrutuar studentë të rinj këtë vit, nuk dëften edhe vetë diferencën mes operatorëve të sistemit privat. Shumë më e arsyeshme do të ishte një koncepti i “RANKING-RENDITE”, pra vlerësimi me pikë i secilës diplomë, kundrejt “akreditimit” pasi kjo do të na jepte një pamje krahasimtare të sistemit dhe ku dallojnë nga njeri-tjetri edhe ata që kanë dalë jashtë standardeve. Është e qartë që jo të gjithë ata janë njësoj.

    Shqipëria ndodhet në një pozitë analoge në lidhje me sistemin universitar, ku në vitet e fundit, falë frymës liberalizuese të qeverisë “Berisha” e aplikuar me guxim nga Ministria e Arsimit, sistemi universitar shqiptar është plotësuar me afro 20 operatorë jopublikë, edhe ishte qeveria “Nano” ajo që dha 3–4 licencat e para. Kjo ka bërë që në sistemin universitar shqiptar të thyhet për herë të parë dhe në mënyrë historike monopoli i universitetit shtetëror, duke i dhënë qytetarëve shqiptarë universitetin alternativ, në të gjitha pikëpamjet. Afro 4-5 vjet pasi universitetet private janë në treg shumëçka ka ndryshuar. Dinamika e tyre është e paparë, alternativa e degëve, metodave të mësimdhënies, e jetës sociale e studentore, e kanë bërë madje të gjithë sistemin të lëvizë. Edhe pse jo kudo me standardet e duhura, aftësia e sistemit privat për t’u vetëpërmirësuar është me disafish në vit. Shanset janë që përmes politikave me frymëzim liberal të qeverisë “Berisha” në qasjen ndaj arsimit të lartë i gjithë sistemi mund të ndryshojë shpejt, përfshi këtu dhe sistemimin e universitetit publik, duke i dhënë këtij të fundit autonomi reale kundrejt aplikimit edhe për universitetin publik të parimeve të tjera të rekrutimit dhe pagesave të studentëve, ndryshe nga mënyra barazitiste dhe falas që është sot. Duke vënë në qendër interesin publik dhe atë të studentit shqiptar, mund të thuhet se janë krijuar parakushtet për një reformim të thellë të sistemit universitar, të logjikës dhe parimeve të tij, drejt modeleve më të avancuara sot në botë, që janë ato anglo–saksone.

   Por a ka sot sistemi universitar shqiptar, publik dhe privat të njëjtat probleme si ato të sivëllezërve kosovarë: “PO” dhe një “po” e madhe. Kudo, në universitetet publike dhe private, ka mosrespektim të standardeve akademike, ka fiktivitet, ka plogështi në punën shkencore, ka formalizëm apo universitet krejt të shkëputur nga shoqëria dhe dijet bashkëkohore. Ka një klimë të përgjithshme mosbesimi për rënien e cilësisë kundrejt masivizimit, ka një klimë paragjykimi dhe druajtje kundrejt faktit që në shumë universitete publike pedagogët dhe drejtuesit bëjnë biznes me studentin e fondet, apo se në shumë universitete private mendohet vetëm për biznes dhe jo për një shkollim me standarde. Ndaj të gjitha këtyre pikëpyetjeve, dyshimeve, ngurrimeve është koha t’i aplikojmë në Shqipëri atë që bënë miqtë kosovarë, me disa përshtatje.
Më së pari, është e domosdoshme që autoriteti publik, qeveria të ndërhyjë duke përzgjedhur një kompani apo agjenci të besueshme ndërkombëtare për të vlerësuar të gjithë sistemin universitar shqiptar, publik dhe privat me një procedurë transparentë, të qartë dhe me parimin “një kut, një masë”, të gjithë të barabartë në procesin e vlerësimit, pa diskriminim apo favorizim të dikujt. Së dyti, është me vlerë që në vend të procesit të “akreditimit” të përdorimin parimin e “renditjes”, i cili do të krijonte një pamje të plotë dhe të detajuar të të gjithë sistemit. Pas kësaj i gjithë publiku do të qartësohej për nivelin e standardeve dhe kualiteteve të secilit universitar publik apo privat. Do të ishte ai i lirë të zgjidhte me dijeni të plotë. Së treti, ka vlerë që sistemi të vlerësohet jo mbi bazën e parimit të universiteteve por sipas parimit të diplomave. Ka kuptim të kemi një pamje krahasimtare sipas diplomave dhe jo një totalitet.

Pasi qeveria dhe publiku të ketë në dorë një pamje të detajuar dhe krahasimtare të gjithë sistemit, qeveria në respekt të interesit publik mund të ndërmarrë vendimet e veta, duke vendosur një vijë të kuqe, ku nën një nivel minimal pikësh diplomat ose të mos njihen, ose ato degë të mbyllen. Deri tek një vizë e verdhë, pra tek deri në një numër të caktua pikësh të lihet një afat i shkurtër përmirësimi, dhe mbi një nivel të caktuar, që mund ta quanim si një “vijë jeshile”, sistemi të emërtohej i shëndetshëm.

Duke parë rëndësinë e jashtëzakonshme të arsimit në dinamizmin e zhvillimit të Shqipërisë, “modeli kosovar” i zbatuar në Shqipëri pa gabimet e atjeshme, mund ta shndërronte universitetin shqiptar, atë publik dhe privat në një gjenerator të vërtetë në ndihmë të rritjes dhe modernizimit të Shqipërisë.

Para një viti, kur bashkë me kolegët e universitetit “Luarasi”, universitetit “Polis”, akademisë së filmit “Marubi” dhe të Universitetit Europian të Tiranës, krijuam Consorcimin Universitar Shqiptar, për të lobuar për etikë dhe standarde në edukimin e lartë shqiptar, ne kishim besim se do të avanconim idetë tona me ndihmën e të gjithëve. Fatmirësisht, një vit me vonë sot të gjithë janë më të vëmendshëm ndaj arsimit të lartë, duke filluar nga qeveria e kryeministrit Berisha, duke vijuar me opozitën e majtë si dhe aktorë të tjerë politikë e jopolitikë. Parakushtet për avancim historik të shkollës së lartë shqiptare janë krijuar tashmë. Për meritë të gjithëve, ku të gjithë janë të lutur të kontribuojnë. 

*Pedagog dhe një nga themeluesit e Universitetit Evropian të Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›