E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetuesi i Durrësit, 10 mijë euro ryshfet

 

TIRANE / DURRES

Aksioni "Qetësia e rreme" arrestoi dje oficerin e Prokurorisë së Durrësit vetëm pak çaste pasi kishte marrë ryshfet 10 mijë euro për "mbylljen" e një dosje penale që hetohej prej tij. Thoma Marina, 51 vjeç, hetues në Prokurorinë e qytetit të Durrësit është prangosur në flagrancë nga kolegët e tij, efektiva të Sektorit të Antikorrupsionit në Policinë e Tiranës, në një aksion të udhëhequr nga Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës. Hetuesi i Prokurorisë së qytetit bregdetar, ra në pranga pas një muaji hetime ndaj tij të filluara pas informacioneve të marra në rrugë operative. Sipas këtyre informacioneve hetuesi Thoma Marina, 51 vjeç, po bënte pazare me dosjen që kishte në hetim, duke kërkuar 10 mijë euro nga pala e interesuar për lehtësimin e pozitës penale, devijimin e hetimit e ndoshta manipulimin e gjithë procesit, me qëllim që personi që po jepte ryshfet të mos ndëshkohej. Pas tratativave të zhvilluara prej një muaji me palën e interesuar për të dhënë ryshfet, oficeri i Prokurorisë së Durrësit ka lënë dje takim në një bar në zonën e plazhit ku do të merrte në dorëzim paratë. E gjithë skena është filmuar nga agjentët e Sektorit të Antikorrupsionit pas një autorizimi të marrë në Gjykatë nga Zyra Task-Force në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit gjatë hetimeve të saj, mësoi se hetuesi i Durrësit do të merrte ryshfetin ditën e djeshme dhe menjëherë i kërkoi gjykatës autorizim për filmimin e skenës. Pak orë pasi ra në pranga, hetuesi i Prokurorisë së Durrësit është ballafaquar me pamjet filmike të regjistruara, teksa ai po merrte ryshfet shumën prej 10 mijë eurosh. Në këto kushte atij nuk i ka mbetur mundësi tjetër, veçse të kërkonte një avokat mbrojtës. Ndërkaq, kolegët e tij që realizuan arrestimin, kanë bërë bllokimin e shumës prej 10 mijë euro, të cilën e kanë gjetur në rrobat e hetuesit të arrestuar.
Korrupsioni i oficerit
Disa muaj më parë në Prokurorinë e Durrësit u regjistrua një dosje penale, e cila bënte fjalë për falsifikimin e dokumenteve dhe "pushtimin" e një sipërfaqeje toke në këtë qytet. Pasi u vendos fillimi i hetimeve, dosja penale iu ngarkua për ta hetuar oficerit të arrestuar ditën e djeshme, Thoma Marina nga Lushnja. Ai mësohet se ka kryer disa veprime me çështjen gjatë të cilave ka rënë në kontakt me palën e akuzuar, të cilën e ka marrë në pyetje. Pasi ka mësuar se ndaj tij kishte një çështje në Prokurori për "falsifikim dokumentesh", personi i akuzuar ka filluar tratativat për "mbylljen" e dosjes. Ai ka hyrë në kontakt me oficerin që po bënte hetimet, duke kërkuar nga Thoma Marina lehtësira juridike. Tratativat mes palëve kanë vazhduar përgjatë një muaji, kohë që i ka dhënë mundësi policisë dhe Prokurorisë së Tiranës të marrë informacione për këtë rast dhe të fillojë menjëherë hetimet. Personi që do të jepte ryshfetin bashkë me hetuesin e Prokurorisë së Durrësit janë mbajtur në përgjim gjatë tratativave të tyre, ndërsa ditën e djeshme janë filmuar, teksa po këmbenin paratë në këmbim të lehtësirave ligjore në dosjen që hetonte oficeri i arrestuar Thoma Marina. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale "korrupsion pasiv nga zyrtarët që ushtrojnë funksione publike".

“Ryshfeti për dosjen e vjedhjes së pronës”

TIRANE - Dosja që po hetohej nga oficeri i arrestuar i Prokurorisë së Durrësit, për të cilën ai mori 10 mijë euro ryshfet bënte fjalë për vjedhjen e një prone me anë të falsifikimit të dokumenteve. Duke vënë në përdorim dokumentet e falsifikuara pretendenti i pronës e kishte "pushtuar" atë, ndërsa pronari është drejtuar në Prokurori. Ai ka denoncuar falsifikimin e dokumenteve lidhur me pronën e tij dhe duke qenë se ky veprim parashikohet si krim penal bashkë me "pushtimin e pronës". Prokuroria ka filluar hetimet duke ngarkuar oficerin e arrestuar, i cili disa ditë pasi mori në pyetje të akuzuarin për falsifikim dokumentesh hyri në tratativa me të për shumën e ryshfetit, që duhej të paguante në këmbim të lehtësirave ligjore, që do t'i shkaktoheshin për shmangien e ndëshkimit penal ndaj tij për falsifikimet e kryera.

Task-Forca pastrim në drejtësi

TIRANE - Pas dhjetëra operacioneve dhe hetimeve të organizuara për korrupsion në sektorët shtetërorë, Zyra Task Force në Prokurorinë e Tiranës duket se tashmë e ka kthyer vëmendjen tek goditja e këtij fenomeni edhe në radhët e drejtësisë. Pas disa avokatëve dhe juristëve të arrestuar për korrupsion prangosja e hetuesit të Prokurorisë së Durrësit shënon një tjetër rast të goditjes së korrupsionit në drejtësi. Task-Force është vendosur në pararojë të luftës kundër korrupsionit prej më tepër se një viti, duke arrestuar zyrtarë nga tatimet, ministritë e ndryshme dhe sektorët e prokurimeve dhe veçanërisht, duke goditur korrupsionin në tenderët dhe sektorin publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›