E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelentano me shpirt të dyfishtë: “Doja të isha një kafshë e lirë”



I famshmi i muzikës italiane, Adriano Çelentano, ka hedhur në treg albumin e ri me këngë dashurie të titulluar “Kafsha”. Kopertina e CD-së ka dy imazhe, një foto të tij dhe një autoportret në versionin kafshëror. Lidhur me këtë fakt, këngëtari ka theksuar se ndjen se ka një shpirt të dyfishtë. “Ideja e titullit është e Xhovanotit. Ndoshta Lorenco pa tek unë instinktin e të mbrojturit të species dhe territorit”, - rrëfen Çelentano. “Veç mushkonjës, do të doja të isha një kafshë çfarëdo, sepse secila ka të drejtën për të jetuar. Për ndjenjën time të madhe të lirisë dhe të rebelimit do të më pëlqente që të isha një dallëndyshe ose një kafshë tjetër që nuk do të jetonte kurrë në kafaz”, - vijon Adriano. Mes këngëve të albumit janë edhe “La Cura” dhe “Sognando Chernobyl”, një melodi ekologjike dhe apokaliptike. “La cura” është kënga më e bukur e dashurisë dhe shpirtit. Flitet për një dashuri me ndjenja jo shumë pasionale, siç janë dhembshuria dhe kujdesi për personin tjetër, mbrojtja për të dhe dëshira për të mos u plakur”, - shpjegon muzikanti i famshëm. Ndërsa “Sognando Chernobyl” duket si një version i rifreskuar i “Ragazzo della via Gluck” që në kohën kur u realizua ngriti alarmin e ndërtimeve pa fund dhe zhdukjes së hapësirave të gjelbërta. “Është një tjetër thirrje e dëshpëruar dhe tepër e mërzitur, ndoshta edhe utopiste, duke parë se si po shkojnë gjërat dhe se deri në ç’pikë njeriu mund të arrijë dhe ta shkatërrojë planetin. Kam qenë gjithnjë optimist në jetën time, por sot e shoh shumë të vështirë. Kur nisa të “këndoja” për frikën time për çimentimin e tokave apo për dhunën e padrejtësinë, nuk u mora shumë seriozisht por si një këngëtar simpatik që përpiqet të bëjë shaka me gjithçka. Sot e shoh se kush është marrë seriozisht me ndershmëri për këtë çështje apo kush do të merret. “Sognando Chernobyl” është vazhdimi i “Mondo in Mi7a”, “Svalutation”, “Il re degli ignoranti”, “I want to know”, “Miseria nera”... përfshirë edhe filmin “Yuppi Du”, të cilin desha ta shkruaja dhe ta realizoja për të njëjtat motive. Për fat të keq, njeriu nuk është një kafshë. Është thjesht një egërsirë dhe një budalla”, - thekson Adriano.

Demi Mur: “Jam humaniste, jo feministe”

Aktorja Demi Mur ka thënë se ajo nuk e konsideron veten si feministe, por është një humaniste që lufton për të drejtat e grave. Aktorja, e cila luan rolin e biznesmenes së pashpresë në dramën e viteve ‘60-të, “Flawless”, thotë se roli i femrës ka ndryshuar për mirë në 40 vitet e fundit. “Unë jam një përkrahëse e madhe e femrave, por kurrë nuk kam menduar se jam feministe, mbase më shumë një humaniste, pasi ndiej se ai është vendi ku duhet të jemi. Mendoj se kohët kanë ndryshuar dhe femrat kanë lënë shenjat e tyre në fusha të ndryshme”, - ka thënë aktorja. Filmi “Flawless”, ku Mur luan përkrah aktorit Sër Majkëll Klain, do të shfaqet në kinema këtë fundjavë.

29 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›