Policia sulm në bazën e kokainës,zbulohen dy armë pa leje në lokal
TIRANE - Dy persona u arrestuan nga zyra e antidrogës në policinë e kryeqytetit, ndërsa të paktën 6 të tjerë kanë përfunduar të shoqëruar në ambientet e policisë. Oficerët e hetimit, kanë bllokuar një sasi të vogël kokaine dhe dy armë zjarri pistoleta, një prej të cilave "TT". Bruno Mara, pronar i një lokali bastesh sportive, është vënë në pranga nga agjentët dhe oficerët e antidrogës, pasi gjatë kontrollit në lokalin e tij, policia i ka gjetur atij një sasi të vogël kokaine. Ndërkaq kushëriri i tij, Rudens Balluku, rreth 25 vjeç, banues në Tiranë është arrestuar nga specialistët e antidrogës me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Policia i ka gjetur dhe i ka bllokuar dy pistoleta, njërën prodhim "TT" dhe një armë tjetër, të një kalibri më të madh. Bashkë me këta, janë të arrestuar edhe 6 persona të tjerë, të njohur si përdorues të lëndëve narkotike, të cilët janë gjetur në ambientet e lokalit. Këta të fundit gjithashtu u shoqëruan në ambientet e policisë, të dyshuar si posedues narkotikësh. Pas veprimeve hetimore, policia ka arrestuar Bruno Marën me akuzën e vënies në dispozicion dhe përshtatjes së ambienteve për konsumim të lëndëve narkotike, si dhe Ballukun, me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit. Të dy ata sipas burimeve të policisë ishin të dyshuar për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, por sasia e gjetur nuk ishte e mjaftueshme sipas policisë për të ngritur akuzë ndaj tyre. Gjithsesi, sipas policisë armët dhe përshtatja e ambientit për përdorim të lëndëve narkotike ka mjaftuar për t'i vënë ata në pranga. d.b