Hetuesit filmojnë skenën e vrasjes së ish-deputetit Fatmir Xhindi
TIRANE - Grupi i hetimit filmoi skenën e vrasjes së ish-deputetit Fatmir Xhindi, duke regjistruar vendin ku ai është qëlluar me armë, si dhe itinerarin që dyshohet se kanë përshkruar autorët e ngjarjes gjatë largimit nga Roskoveci. Burime nga hetimi i çështjes konfirmuan se regjistrimi i pamjeve filmike pranë banesës së ish-deputetit në vendin ku ai u qëllua me armë zjarri, si dhe filmimi i itinerarit që kanë ndjekur autorët në ikje, është bërë me qëllim zbardhjen e elementëve të rinj të mekanizmit të ngjarjes. Regjistrimi filmik i gjithë skenës së krimit mësohet se është bërë me qëllime ekspertimi, porse hetuesit nuk japin shumë detaje lidhur me këtë fakt. Prokuroria tha se po vazhdon hetimet në dy pista lidhur me vrasjen e deputetit, duke verifikuar mundësinë e eliminimit fizik për shkak të detyrës si dhe për ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje personale. Një ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi deklaroi në emisionin "Ora e Debatit" se policia ka vetëm një pistë për vrasjen e Fatmir Xhindit. Kryepolici tha se grupi i hetimit është drejt zbardhjes së konkluzionit përfundimtar mbi shkakun e vrasjes, ndërsa nuk publikoi detaje mbi pistën e vetme në të cilën po heton policia. Ndërkaq, organi i akuzës i Krimeve të Rënda konfirmon se në bashkëpunim me policinë po vazhdojnë hetimet në lidhje me vrasjen e deputetit. Pak ditë më parë Prokuroria ka rimarrë në pyetje familjarë dhe të afërm të ish-deputetit të PS-së, i cili u ekzekutua me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së tij mbrëmjen e 2 majit 2009. Sipas burimeve zyrtare nga hetimi, mësohet se të afërmit e ish-deputetit kanë këmbëngulur se atentati ka pasur motive politike, por nuk kanë dhënë hollësi të mëtejshme. Të afërmit e Fatmir Xhindit mësohet se kanë hedhur poshtë mundësinë e vrasjes për shkaqe apo konflikte personale. Hetimi është vështirësuar ndjeshëm si pasojë e faktit se në vendin e ngjarjes nuk është arritur të gjenden prova me vlerë identifikuese për autorët e ngjarjes. Deri më tani mësohet se janë marrë në pyetje më shumë se 100 persona me dijeni për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 2 majit 2009. Disa prej dëshmitarëve, banorë të zonës janë pyetur edhe në lidhje me konflikte apo mosmarrëveshje të Fatmir Xhindit, personale apo për detyrën. Megjithatë, asnjë nga dëshmitarët nuk ka dhënë detaje që të ndihmonin hetimin. tr.so