E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryefamiljari vret gruan e më pas veten nga depresioni

 

LUSHNJE / MAJLINDA RAMA

Pas një sherri me të shoqen e qëllon për vdekje me armë e më pas i jep fund dhe jetës së tij me një plumb të vetëm. Një 43-vjeçar ka shkaktuar krimin e radhës në familje, duke kryer gjithçka në sy të familjarëve. Depresioni dhe varfëria në të cilën jetonte çifti Korreshi, banorë të lagjes “Saravë” të Lushnjës, sipas policisë janë dhe shkaqet e ekzekutimit të dyfishtë. Rreth orës 19:30, Bajram Korreshi qëlloi me pistoletë gruan 36-vjeçare, Adelinën, nënë e 3 fëmijëve. Sipas të dhënave të policisë, kryefamiljari ishte kthyer në mbrëmje në shtëpi, pasi kishte qenë jashtë gjithë ditën. Pasi ka hyrë në shtëpi 43-vjeçari është ndeshur me të shoqen, Adelinën. Familjarë të viktimave kanë pohuar se pikërisht në këtë moment Bajrami është nxehur dhe nuk ka duruar pyetjet e të shoqes. Britmat e gruas e klimat e saj janë dëgjuar për pak kohë, por një krismë arme ka shuar gjithçka. I ati i Bajramit është munduar ta pengojë, por nuk ka mundur. Pak sekonda më vonë, autori është futur në dhomën e gjumit dhe aty me një plumb të vetëm pistolete i dha fund dhe jetës së tij. Pasi kanë njoftuar policinë lokale, familjarët kanë marrë Adelinën dhe e kanë shoqëruar atë për në spitalin e qytetit të Lushnjës, por asnjë shenjë jete nuk kishte për të. Menjëherë në vendin ku ka ndodhur krimi kanë mbërritur forca të shumta policore, të cilat kanë bërë edhe rrethimin e zonës. Burimet policore pohojnë se ka filluar puna për zbardhjen e vërtetë të kësaj ngjarjeje dhe për të nxjerrë në dritë motivet që e shtynë 43-vjeçarin të ndërmerrte një veprim të tillë. Ndërkohë pranë shtëpisë së Korreshit kanë mbërritur familjarë të shumtë të Adelinës, të cilët nuk kanë bërë asnjë koment për vrasjen, veçse nën zë kanë theksuar se bashkëshorti i saj vuante nga një depresion i thellë që e shoqëronte prej kohësh. Familja e Bajram Korreshit, jetonte në lagjen “Saravë” të qytetit të Lushnjës prej më shumë se 10 vjetësh. Bajrami, tre vite e fundit punonte si punëtor me mëditje atje ku gjente, por edhe kjo nuk mjaftonte për të mbajtur bashkëshorten dhe tre fëmijët, përkatësisht 14, 10 dhe 5 vjeç. E shoqja e tij ishte shtëpiake e merrej me rritjen e fëmijëve. Çifti bënte një jetë të vështirë, pasi të ardhurat e pakta nuk u krijonin të gjitha kushtet për një jetë normale. Mendohet që të ketë qenë pikërisht ekonomia e dobët ajo që e ka çuar 43-vjeçarin Korreshi drejt një depresioni të thellë e që më pas është bërë shkaktari i kësaj vrasjeje të dyfishtë.
Policia pritet të zbardhë dhe arsyet e krimit të rëndë, ndërsa do të saktësojë nëse Korreshi ishte i mjekuar për shkak të depresionit apo jo.
Nga të dhënat e para, siguruar prej dëshmive të familjarëve të viktimës Bajram Korreshi, ai kishte shfaqur probleme të depresionit, për të cilin kishin dijeni dhe njerëzit e gruas. Por, askujt prej tyre nuk i kishte shkuar në mendje se 43-vjeçari do të ndërmerrte një veprim të tillë, duke lënë jetimë tre fëmijët. Ende nuk dihet as se ku e kishte gjetur armën e krimit, tip pistoletë, autori i vrasjes së dyfishtë. Policia e qytetit dhe ekspertët e saj bllokuan armën, ndërsa sot pritet të dalë dhe varianti zyrtar për shkaqet dhe rrethanat në të cilat ndodhi krimi në familje.

Dy vetëvrasje nga depresioni

Shkodër-Gramsh/ Dy persona i kanë dhënë fund jetës, duke u vetëvarur në kushtet e depresionit të rëndë. Një grua nga fshati Kodovjadë e Gramshit u gjet e pajetë në kasollen e bagëtive. Behije Seda, sipas familjarëve, nuk kishte pasur asnjë problem me ta dhe gjithçka kishte qenë e papritur. Ndërsa ngjarja e dytë e rëndë ndodhi në lagjen “Ahmet Hajdia” të qytetit të Shkodrës, kur 60-vjeçari Isuf Mehmeti u gjet i vetëvarur. Nga hetimet e para rezulton se Mehmeti kishte qenë i sëmurë dhe në këto kushte kreu vetëflijimin. Dy ditë më parë, në një fshat të Lushnjës vrau veten një 34-vjeçar, për shkak të varfërisë në të cilën jetonte familja e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›