Sherr në party, vritet 18-vjeçari
Etleva Delia
Jeton Ferhati, 18 vjeç, gjeti vdekjen dje në Spitalin Ushtarak, pasi u qëllua dy herë me thikë në Laprakë. Viktima është qëlluar në zemër nga disa bashkëmoshatarë të tij, të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes. Policia shoqëroi 3 persona, të dyshuar dhe disa dëshmitarë, ndërsa në mbrëmje u konfirmua zbulimi i autorëve të krimit, që sipas policisë janë vëllezërit Elvis dhe Ervin Meta, 24 dhe 22 vjeç. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:00, në kryqëzimin e Laprakës me rrugën e Durrësit. Sipas dëshmive të personave që janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë, konflikti mes Ferhatit dhe dy adoleshentëve që janë shpallur në kërkim, ka nisur për një festë, që po zhvillohej në një lokal nga gjimnazistët e shkollës "Aleks Buda". Në një kohë kur festa nuk kishte filluar ende, një adoleshent tjetër e ka thirrur Jeton Ferhatin që të dilte nga lokali, sepse e kërkonin. Viktima ka dalë jashtë ku disa metra larg lokalit ka debatuar me tre djem të tjerë. Autorët dhe viktima kishin njohje të mëparshme me njëri-tjetrin, madje banonin në Bathore dhe ishin fqinj mes tyre. Pas debatit njëri nga adoleshentët e ka qëlluar Ferhatin dy herë me thikë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë që 18-vjeçari ka vdekur disa minuta më vonë në Spitalin Ushtarak.
VRASJA
Rreth orës 11:00, një polic rrugor, i cili ndodhej në shërbim në kryqëzimin e Laprakës, ka njoftuar sallën operative se ka ndodhur një plagosje, vetëm disa metra nga vendi i tij i shërbimit. Sipas tij dy djem ishin larguar me shpejtësi dhe ai nuk kishte arritur t'i identifikonte, pasi në momentin e ngjarjes ishte bërë shumë rrëmujë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivat e Komisariatit Nr.2 dhe Nr.3, si dhe oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, gjithashtu edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Në një rrugicë mbrapa Spitalit Ushtarak, një patrullë policie e Komisariatit Nr.5 ka ndaluar 2 adoleshentë që lëviznin me motor dhe janë shoqëruar në polici si të dyshuar. Ndërkohë, edhe një tjetër bashkëmoshatar i viktimës, Jeton Ferhatit, është ndaluar në vendin e ngjarjes nga policia dhe është shoqëruar për t'u marrë në pyetje. Mësohet se ai ka një të çarë në kokë dhe sipas policisë ka qenë i përfshirë në konfliktin mes adoleshentëve, por nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim për ngjarjen, duke e mohuar se ka dijeni rreth saj. Sipas burimeve nga policia mësohet se 18-vjeçari ka qenë brenda në një lokal, në katin e parë të njërit prej pallateve "Hawai", në Laprakë, në pritje që të niste festa e gjimnazistëve. Ndërkohë, në këtë moment është futur brenda një djalë, i cili i ka kërkuar që Ferhati të dilte jashtë, se po e priste një miku i tij. Vetëm disa metra larg lokalit, ai është takuar me dy djem të tjerë, të cilët i kanë kërkuar, që t'i fuste brenda në lokalin ku do të zhvillohej festa. Sipas policisë, viktima dhe autorët kishin njohje, pasi banoni në të njëjtën lagje, por aty ka nisur një konflikt mes tyre, që ende nuk është shoqëruar plotësisht. Grupi hetimor që po merret me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, bën të ditur se 3 personat e shoqëruar janë marrë në pyetje për disa orë. Ndërkohë, mësohet se janë shpallur në kërkim edhe dy djemtë Elvis dhe Ervin Meta me origjinë nga Puka dhe banues në Bathore të Tiranës.
Dëshmitarja: Autorët ikën me vrap
Vrasja e adoleshentit Jeton Ferhati është kryer në prani të dhjetëra dëshmitarëve, para disa lokaleve, stacionit të autobusëve dhe shumë kalimtarëve të rastit. Një nga dëshmitaret që ka parë të gjithë skenën e krimit është edhe një grua, e cila punon të një nga lokalet e shumta në afërsi të vendit të ngjarjes, e cila nuk pranon të citohet me emër. Sipas saj, fillimisht ka menduar që po ndodhte një nga ato dhjetëra sherre të momentit, që ndodhin mes adoleshentëve në atë zonë, e cila është shumë e populluar dhe frekuentohet kryesisht nga djem dhe vajza të moshës së viktimës dhe autorëve. "U bë kaq kohë që unë punoj këtu dhe i njoh si fytyra pothuajse të gjithë adoleshentët që vijnë në këto lokale. Por personat që po ziheshin këtu nuk i kisha parë asnjëherë".