Klandestinët, grekët kthejnë mbrapsht 260 vetë
KORÇE - Policia greke depërtoi gjatë 24 orëve të fundit 260 klandestinë. Burime nga policia e kufirit në rrethin e Devollit bënë të ditur se janë shtuar ndjeshëm klandestinët që tentojnë të kalojnë ilegalisht në tokën greke. Për këtë arsye prej është rritur patrullimi dhe kontrollet në afërsi të brezit dhe vijës së kufirit. Përgjegjësi i njërit prej grupeve të patrullimit të policisë kufitare A. Hoxha u shpreh se “Ndodh që brenda 24 orëve të kapim dhe çojmë në komandën tonë deri në 400 klandestinë të cilët tentojnë të kalojnë kufirin. Ata nënshkruajnë një deklaratë se nuk do të tentojë të hyjnë më ilegalisht në tokën greke, por sërish ata e përsërisin këtë tentativë”. Vetëm në orët e para të ditës së djeshme policia greke deportoi 125 klandestinë. Ndërsa në orët e mëpasme numri i tyre u shtua duke e çuar atë në 260 veta. Drejtues të policisë kufitare dhe të komisariatit të Devollit deklarojnë se është rritur ndjeshëm fluksi i klandestinëve që synon kalimin në tokën greke. Gjatë 24 orëve drejt Bilishtit udhëtojnë shumë njerëz dhe automjete. Shumica shkojnë në Doganën e Kapshticës, por ka edhe persona që kërkojnë udhërrëfyes për të kaluar në Greqi në mënyrë ilegale. Ata janë bujtës të hoteleve e moteleve por edhe të banesave të fshatarëve që jetojnë afër kufirit. Është kjo arsyeja që ditët e fundit policia ka nisur të kryejë kontrolle edhe në këto objekte me qëllim evidentimin e personave që synojnë të kalojnë ilegalisht në shtetin fqinj. j.gj