Poli i Lirisë: Rritje pagash për mjekët, reformë në shëndetësi
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, tha dje gjatë një takimi në Tiranë, se pas 28 qershorit Poli i Lirisë do të rrisë rrogat e mjekëve në nivelet e atyre të Bashkimit Evropian. Sipas tij “duke qenë në një zonë afër spitalit, reforma në shëndetësi duhet të fillojë nga paga e mjekut e cila duhet të rritet në nivelin e pagave evropiane, dhe ato para që të marrë, t’i marrë në mënyrë të ligjshme. Që të shmangim ryshfetin duhet të garantohet shërbimi shëndetësor falas me anë të librezave shëndetësore”. Kreu i LZHK-së, pjesë e koalicionit të djathtë Poli i Lirisë, Dashamir Shehi vuri theksin edhe tek arsimi. “Edhe sistemi arsimor duhet të rishikohet. Gjysma e Tiranës është në arsim privat. Edhe për këtë kategori shkollash, që gjysma e tyre janë ndërtuar si kioska, duhet të ketë seleksionime në mënyrë që të gjithë fëmijët që arsimohen në shkolla private, të kenë mundësi punësimi dhe njohje të diplomave të tyre. Me 25 universitete private që janë hapur në Tiranë, ia kemi kaluar Romës dhe Milanos. Ndërkohë që ka edhe familje që nuk paguajnë dot në shkolla private, prandaj duhet t’i kushtohet rëndësi edhe nivelit të shkollave publike”, u shpreh Shehi. “Nëse mendoni se mbaroni punë me shtetin, prandaj i japim rëndësi shtetit, se shteti fillon nga policia nga prokuroria, gjykatat, arsimi, zyra e hipotekës, zyra e bashkisë, pa paguar paratë, pa pasur ndonjë mik te partia apo te qeveria votoni për këta, nëse nuk mbaroni punë pa paguar para apo pa pasur ndonjë mik, ne ju themi hajde votoni për ne se është një shans për ju, dhe një vend që mund të ndryshoni ca gjëra”, përfundoi kreu i LZHK-së.