Vdes në Itali i 25-ti i tragjedisë së Gërdecit, jashtë rrezikut dy të tjerë në Zvicër
Tiranë - Një tjetër anëtar i familjes Deliu, i plagosur rëndë nga shpërthimi i 15 marsit në Fabrikën e municioneve në Gërdec, ka humbur jetën. 47-vjeçari Qemal Deliu ka ndërruar jetë në spitalin e Brindisit në Itali, ku gjendej për një trajtim më të specializuar për plagët e marra nga shpërthimi. I ndjeri kishte djegie në 80 për qind të trupit. Deliu është i plagosuri i gjashtë ë tragjedisë së Gërdecit që ndërron jetë në spitalet italianë. Me vdekjen e tij shkon në 25 numri i viktimave nga shpërthimi. Largimi nga jeta i Qemal Deliut e çon në 5 numrin e viktimave nga kjo familje. Ndërsa optimist është lajmi se janë jashtë rrezikut për jetën dy persona të plagosur nga shpërthimi, të cilët po kurohen në spitalet e Zyrihut dhe Lozanës në Zvicër. Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilave Versile Gjata, e cila ndodhet në Zyrih, pasi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dy jave më parë tashmë ndodhet plotësisht jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, shtojnë burimet, i plagosuri tjetër, Dylber Pirini ka qene ne gjendje të mirë dhe mjeket zviceranë nuk e kanë parë të arsyeshme t’i bëjnë ndërhyrje kirurgjikale.
11 Prill 2008