Prokuroria kërkon të pyesë edhe presidentin e “AEY”-së, Efraim Diverol
Tiranë – 22-vjeçari Efraim Diverol, president i kompanisë “AEY”, kërkohet për të dhënë shpjegime jo vetëm në Kongresin Amerikan, por edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Burime të rezervuara, por të konfirmuara, thanë për gazetën se kanë futur emrin e të riut amerikan në listën e njerëzve që shpresohen të merren në pyetje për të zbardhur pistën e trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit, veçanërisht atë të fishekëve. Megjithëse sot Diverol duhet të paraqitet para Kongresit Amerikan e madje edhe në një takim të dytë më 17 prill, kërkesa e prokurorëve shqiptarë
për të marrë një dëshmi të 22-vjeçarit pritet të marrë përgjigje mbi rrugët se si do të sigurohet deklarata e tij. Burimet konfirmojnë se Efraim Diverol është mes personave që duhet të pyetet edhe në lidhje me regjistrimin e bisedës së kryer në qershor 2007, ku përmenden afera korrupsioni të bëra në Shqipëri. Presidenti i kompanisë “AEY”, Efraim Diverol, flet mes të tjerash për blerjen e qindra fishekëve nga vendi ynë dhe pamundësinë e tij për të operuar më tej në këtë garë armësh të tregtuara. Grupi hetimor u tregua i matur dhe nuk dha shpjegime të mëtejshme për shkak të cilësisë sekrete të hetimeve. Por në pritje të veprimeve hetimore që gjithësi po bëhen në bashkëpunim me palën amerikane është edhe kërkesa e Prokurores së Përgjithshme për të marrë detaje nga hetuesit e kompanisë SAC.
11 Prill 2008