E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetuesit sjellin prova të reja, gjykata liron kosovarët mashtrues

Gjykata e Lartë, hetim në liri me garanci milionëshe për Valon Kyçykun dhe Burim Haxhiollin, të arrestuarit e “Rrugës pa sukses”

Gjykata Supreme ka vendosur javën e kaluar të lërë të lirë dy shtetasit kosovarë, të cilët u arrestuan nga policia për mashtrim. Duke iu referuar vendimit të gjykatës, Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli kanë vënë garanci pasurore për të fituar lirinë. Ata kanë lënë peng plot 2.5 milionë lekë, vetëm që të mos qëndrojnë pas hekurave. Vendimi i Gjykatës së Lartë ka sjellë pakënaqësi tek uniformat blu dhe prokuroria, pasi sipas tyre herë pas here në dosje janë pasqyruar të dhëna të reja në lidhje me aktivitetin kriminal të dy të pandehurve. Madje ata, pasi arrestuan në flagrancë dy kosovarët, zbuluan edhe skemën e mashtrimit, apo dhe kërkuan sekuestron për llogaritë bankare që disponoheshin prej tyre. Në dosje janë edhe paditë e ngritura nga personat e dëmtuar nga aktiviteti, që u quajt edhe skemë piramidale. Megjithatë, vendimi i Gjykatës Supreme duket se i rrëzon të gjitha, duke nisur që me bujën e propaganduar nga policia e kryeqytetit pas operacionit “Rruga pa sukses”. Dy vendimet e dhëna nga togat e zeza të Gjykatës së Faktit dhe asaj të Apelit i kishin lënë pas hekurave dy kosovarët.

Ngjarja

Në fillim të majit, policia tha se ka mundur të zbulojë një skemë të mirëfilltë piramidale, duke vënë në pranga dy shtetas kosovarë. Po sipas policisë, Valon Kyçyku, 35 vjeç nga Prizreni dhe Burim Haxhiolli, 31 vjeç nga Suhareka, kishin ngritur një strukturë piramidale, duke u vjelë anëtarëve shqiptarë rreth një milion euro. Organizatorët e këtij grupi u deklarua se kishin mashtruar rreth 400 qytetarë shqiptarë, duke i rekrutuar sipas një skeme mashtruese me pretekstin e trajnimeve në fushën e biznesit. Zyrtarisht u deklarua se Kyçyku dhe Haxhiolli u kërkonin viktimave të mashtrimit të tyre të paguanin nga 2290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre. Këtë aktivitet të paligjshëm këta shtetas dyshohej se e kishin kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection” me Seli në Shkup, Maqedoni. Kyçyku dhe Haxhiolli u arrestuan para fillimit të një seminari të radhës në një nga lokalet e Tiranës. Agjentë të policisë i vëzhgonin prej disa muajsh të dyshuarit duke përdorur metoda speciale.

Hetimet

Duke iu referuar hetimeve të kryera, dy firmat fantazmë, “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, të cilat kishin seli në Shkup, Maqedoni, ishin krijuar në shtetin e Qipros, i cili njihet si “parajsa fiskale”. Duke pasur një licencë ndërkombëtare, firmat kishin si qëllim tregtimin e produkteve të ndryshme, gjë e cila nuk ka ndodhur asnjëherë. Pas krijimit në Qipro, aktiviteti kishte vazhduar në Maqedoni, Kosovë dhe së fundmi në Shqipëri. Hetuesit e çështjes deklaruan se dy shtetasit kosovarë kryenin vizita të shpeshta në Tiranë, duke organizuar edhe seminare të ndryshme. Të arrestuarit kishin përfunduar studimet në fushën e ekonomisë dhe kishin njohuri mjaft të mira në menaxhimin e të hollave. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë atëherë se të arrestuarit kryenin pagesat në kohë dhe kishin krijuar një besueshmëri të madhe te “klientët”. Madje, në kontratat që ishin fiktive shënohej edhe pjesëmarrja e “klientëve” në seminare të ndryshme, por të veshur “shik”. Gjithçka realizohej për t’u dukur mirë në sytë e mashtruesve, të cilët shpërndaheshin me shpejtësi. Motoja, sipas burimeve nga akuza, ishte shumë e thjeshtë: “Me ne të gjithë pasurohen”. Ata u arrestuan në lokalin ku po zhvillohej seminari, me pjesëmarrjen e qindra vetëve. Krerët e këtij grupi e kishin organizuar takimin me të gjitha detajet e mundshme. Madje janë paguar edhe disa persona për të krijuar një ambient elektrizues, ku të gjithë të besonin se kjo mënyrë mund t’i pasuronte shtetasit shqiptarë shumë lehtë. Agjentët e policisë, që kanë vëzhguar këtë grup, kanë mbetur të shtangur nga mënyra e organizimit, pasi edhe personat që duartrokisnin paguheshin me honorare. Sipas grupit hetimor, ditën që është zhvilluar operacioni, 50 shtetas shqiptarë kanë paguar 2290 euro për t’u bërë “aksionerë” në kompanitë fantazmë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›