Maqedoni, debat mes partive shqiptare dhe Komunitetit Mysliman
Faktori politik shqiptar në Maqedoni hedh poshtë çdolloj lidhjeje me strukturat islamike radikale në këtë vend. Duke reaguar me forcë ndaj deklaratave të drejtpërdrejta të fundit të kreut të Bashkësisë Fetare Islame Fetare (BFI) të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, se partitë politike shqiptare involvojnë elementë islamikë radikalë në strukturat e politikës shqiptare, këto parti i mohuan në mënyrë kategorike këto akuza, duke theksuar se ato, deri më tani, nuk kanë pasur asnjë përpjekje të strukturave fetare radikale për të hyrë në organet e tyre partiake. Partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pjesëtare e koalicionit qeveritar maqedonas, vuri në dukje, me rastin e akuzave të lartpërmendura, se ajo është një parti që përpiqet ta ndjekë nga distanca jetën fetare në vend, sepse filozofia partiake e saj (BDI-së) e konsideron Maqedoninë si një shtet shekullar. “Ne, si parti, synojmë që të ruajmë distancë nga jeta fetare, sepse kemi mendimin dhe besojmë se Maqedonia duhet të jetë një shtet sekular. Ne nuk kemi pasur kurrfarë kontaktesh dhe as përpjekjesh për financimin e ndonjë organizate, qoftë politike, qoftë fetare”, i deklaroi dje medias maqedonase funksionari i lartë i BDI-së, Xhevat Ademi. Distancimin dhe ndarjen e platformës politike nga bindjet fetare kërkon edhe partia tjetër shqiptare, Demokracia e Re, e cila vuri në dukje se kjo parti nuk ka asnjë lloj përvoje dhe lidhjesh, për të cilat flet kreu i BFI-së. “Unë, deri tani, nuk kam asnjë lloj informacioni për çfarëdo lloj kontaktesh të strukturave të tilla me ‘Demokracinë e Re’. çdo largim nga platforma politike e partive është i dëmshëm”, i tha medias nga ana e tij, zyrtari i lartë i kësaj partie shqiptare, Sulejman Rushiti. Partia politike shqiptare tjetër, ajo opozitare, Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH), e cila konsiderohet si e afërt me udhëheqjen e tanishme të BFI-së, vazhdimisht ka theksuar se ajo gjithnjë, edhe kur ka qenë pjesëmarrëse në koalicionet qeveritare maqedonase, ka punuar aktivisht, madje edhe në terren, për pengimin e mundësisë së infiltrimit të islamizimit radikal në institucionet e BFI-së. Sipas saj, edhe sot e kësaj dite, kjo parti qëndron në të njëjtat pozita. Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, duke folur para disa ditësh publikisht për njësitë vahabite (elementë islamikë radikalë) në Maqedoni, vuri në dukje se partitë politike shqiptare i shfrytëzojnë këto struktura për ardhjen e tyre në fuqi. “Këtu, te ne, ato nuk kanë subjekte politike konkrete të zgjedhura, por, sidoqoftë, bëjnë përpjekje pranë të gjitha subjekteve politike që të përfshihen në strukturat e politikës shqiptare, me qëllim që, nëpërmjet politikës, të sulmojnë institucionet ose të uzurpojnë BFI-në dhe, më pas, të praktikojnë lirisht ideologjinë vahabite. Ato ndjekin një taktikë që para zgjedhjeve eventuale të arrijnë marrëveshje të formave të ndryshme, në përpjekje për të siguruar në mënyrë të pandershme vota, vetëm e vetëm që ky ose ai subjekt politik të hipë në fuqi dhe t’u shërbejë këtyre strukturave, kurse këto të fundit, nga ana e tyre, të mund të realizojnë ideologjinë e tyre vahabite”, theksoi Sulejman Rexhepi.
#