E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saramago: Zoti nuk e ka lexuar Kafkën

Teksti kuratorial i shkruar rreth 20 ditë para se të vdiste për ekspozitën e Sofia Gandarias

“Kafka vizionar” është titulli i ekspozitës që Sofia Gandarias i dedikon në Pragë shkrimtarit çek. Ekspozita e përbërë nga dhjetëra piktura dhe instilacione është vendosur në galeri. Vizitorët i shoqërojnë në sfond disa pjesë të Antonin Dvorak e Gustav Mahler. Posaçërisht për këtë ekspozitë, Jose Saramago, rreth 20 ditë para se të vdiste, ka shkruar një tekst kuratorial. Siç dihet, Jose Saramago jo vetëm që ka shkruar për artin, por ishte edhe vetë një artist i njohur për ndjeshmërinë e tij. Mjafton të kujtojmë ekspozitën e madhe, e hapur një vit më parë në Pallatin e Ajudas në Lisbonë, në të cilën ishin ekspozuar në gjininë e skulpturës dhe arkitekturës rreth 500 punë të portugezit, të çmimit “Nobel”. “Zoti nuk është këtu” (2006), është një prej punëve të Sofia Gandarias dedikuar Kafkës, që është ekspozuar në Pragë. Pyetjen plot ankth, por të mbushur me retorikë, që Papa lëshoi në Auzhvic, “Ku ishte Zoti?”, e pason kjo ekspozitë e rëndësishme e Sofia Gandarias, e cila me shumë thjeshtësi përgjigjet: “Zoti nuk është këtu”. është e qartë që Zoti nuk e ka lexuar Kafkën. Mesa duket, as Ratzinger. Aq më pak Primo Levi, që është më afër kohës sonë e që asnjëherë nuk e përdori alegorinë për të treguar tmerret. Nëse ma lejoni këtë guxim, do ta këshilloja Papën të vizitonte me nge dhe me sy të vëmendshëm këtë ekspozitë të Sofias e të dëgjonte me kujdes shpjegimet që do t’i ofronte një piktore, e cila, duke njohur në thellësi artin që ushtron, njeh edhe jetën e botën që ne bëjmë, besimtarë e jo besimtarë, besnikë dhe të pabesë, por edhe të tjerët. Ata që bënë Auzhvicin, por edhe ata që pyesin ku është Zoti. Do të ishte më e udhës të pyesnim ku jemi ne, çfarë sëmundje është kjo që nuk na lejon të shpikim një botë ndryshe, edhe me zota, po të jetë e nevojshme, por jo me detyrimin për të besuar në ta. E vetmja liri autentike e jetës së njeriut është ajo e shpirtit, një shpirt i painfektuar me besime irracionale dhe nga supersticionet, në disa raste edhe poetike, por që deformojnë perceptimin e realitetit e që duhet të ofendojnë edhe arsyen më elementare. E ndjek prej vitesh krijimtarinë e Sofia Gandarias. Jam i habitur nga aftësia e saj për të krijuar, nga forca e shprehjes së saj, lehtësinë me të cilën hedh në telajot e saj vizionin për botën e brendshme, raportin thuajse organik që ka me ngjyrat e me vizatimin. Sofia Gandarias është e gjitha kujtesë. Së pari është kujtesë e vetvetes, por edhe kujtesë e mënyrës së saj të të jetuarit, por edhe e asaj që ka mësuar, kujtesë e çdo gjëje që e ka bërë të vetën, kujtesë për Kafkën, për Primo Levin, Roa Bastos, Borges, Rilke, Brecht, Hanna Arendt; e të gjithë atyre, që për ta thënë me një fjalë të vetme, i janë afruar shpirtit njerëzor dhe kanë provuar atë marramendje.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›