E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hezitimi i Shkupit per traktatin me Bullgarine

Ka dicka qe nuk ecen ne marredheniet mes Bullgarise dhe Maqedonise, derisa zedhenesja e Ministrise se Jashtme bullgare, Vesela çerneva njoftoi më 9 mars se Bullgaria i ka ofruar Maqedonisë një Traktat të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa MPJ e Maqedonisë në fillim e mohoi se ekziston një ofertë e tillë, dhe pastaj, pas dy ditësh, e pohoi se kjo është e vërtetë dhe pala maqedonase po e shqyrton këtë propozim. Burime diplomatike nga të dy vendet ballkanike bëjnë të ditur se traktati i është propozuar palës maqedonase që në vitin 2008, dhe duke qenë se pala maqedonase nuk dha asnjë përgjigje, iu përsërit propozimi nga kryeministri, Bojko Borisov, kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, gjatë vizitës së këtij të fundit në Sofje, në fund të vitit 2009. Heshtja e gjatë e pashpjeguar dhe mosdhënia e një përgjigjeje nga Maqedonia edhe në kanalet diplomatike, duhet ta ketë shtyrë palën bullgare që ta bëjë publik informacionin për çështjen e traktatit, e cila qëndron në dosjen e problemeve të pazgjidhura ende me palën maqedonase. Dhe që kjo heshtje apo hezitim i Shkupit për të dhënë përgjigje duket se do të vazhdojë më gjatë, rezulton edhe nga deklarata e zëdhënësit të MPJ të Maqedonisë, Petar çulev, më 11 mars, i cili nënvizoi se qeveria maqedonase ende po shqyrton draftin e paraqitur dhe se, kur të mbarojë analiza e brendshme, Shkupi do të informojë autoritetet bullgare për qëndrimet tona. Si rregull, nënshkrimi i traktateve të miqësisë dhe të bashkëpunimit presupozon shkallën më të lartë të kuadrit ligjor të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe sigurisht zgjidhjen e plotë të problemeve të trashëguara nga historia apo të atyre aktuale në marrëdhëniet dypalëshe. Por Ballkani, zakonisht është jashtë skemës dhe ka plot shembuj që të shtyjnë të mendosh se me traktatet nuk zgjidhen të gjitha problemet mes dy shteteve, ashtu siç ndodh që shumë probleme vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura edhe pas nënshkrimit të traktateve. Por fakti se çështja e traktatit kthehet në një çështje të pazgjidhur të dosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, do të thotë se ajo situatë reflekton një panoramë më të gjerë të vështirësive që hasen në ecurinë e përgjithshme të marrëdhënieve. Dhe është e logjikshme, që diplomacia të kërkojë dhe të punojë për shtrimin e rrugës së zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura.

Në rastin e traktatit me Bullgarinë, qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski ka ndjekur taktikën e zvarritjes së tij, dhe është përpjekur ta mbyllë në sirtarë dhe, sipas analistit maqedonas, Eroll Rizaov, ta ruajë atë si sekretin më të madh në Maqedoni. Ky qëndrim i qeverisë së Shkupit është me interes për të ndriçuar më mirë disa qëndrime, dhe në përgjithësi politikën, që kryeministri Nikolla Gruevski po ndjek me shtetet fqinje. Traktati i propozuar nga pala bullgare parashikon institucionalizimin dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, luftës kundër krimit të organizuar, etj. Në të njëjtën kohë, në projekt-traktat parashikohet edhe një marrëveshje për interpretimin e historisë dhe eliminimin e gjuhës së urrejtjes në raportet mes popujve dhe opinionit publik në të dy vendet. Këto janë të kuptueshme për këdo që njeh sadopak historinë e marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. është normale që çështjet e propozuara në projekte marrëveshjesh mes dy vendeve të kenë nene dhe pika që ngjallin nevojën e një diskutimi, dhe që mund të ketë kundërpropozime dhe sugjerime. Por nuk është normale që të mos i jepet përgjigje zyrtare, qoftë pozitive, qoftë negative, një propozimi, i cili vjen nga nivelet më të larta qeveritare të një shteti fqinj, marrëdhëniet me të cilin janë të rëndësishme. Për më tepër, Bullgaria përveçse shtet fqinj është edhe anëtare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s, dy organizata ku Shkupi po pret që të pranohet sa më parë. Pavarësisht se Bullgaria, nëpërmjet zëdhënëses së MPJ e përsëriti se nënshkrimi i traktatit nuk është kusht për dhënien e mbështetjes bullgare për anëtarësimin e Shkupit në NATO dhe në BE, çdo zyrë modeste në institucionet shtetërore e kupton rëndësinë e krijimit të një klime sa më të qëndrueshme të besimit në ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe për dy shtete fqinje. Nuk mund të mos të tërheqë vëmendjen se deri tani kryeministri maqedonas nuk ka dhënë përshtypjen se vërtet e kërkon këtë klimë me Bullgarinë. Disa raste të ndodhura gjatë qeverisjes së tij, që nga çështja e varrezave të ushtarëve bullgarë të vrarë në luftërat botërore në Maqedoni, apo deri në çështjen e burgosjes së një shtetaseje bullgare për një çështje civile, pa përmendur fushatat e herëpashershme antibullgare që ndërmarrin mediat pranë apo të lidhur me rrethin e kryeministrit, forcojnë bindjen se marrëdhëniet me fqinjin e Lindjes nuk kanë gjetur dimensionin e rëndësisë që u takon. Edhe në rastin e hapjes së çështjes së traktatit, në disa media maqedonase u përhap versioni i "një kurthi të Bullgarisë ndaj Maqedonisë", siç shkruante gazeta " Vesnik", apo versioni se Bullgaria ka kushtëzuar votën e saj për integrimin euroatlantik të Maqedonisë me nënshkrimin e traktatit, siç shkruante gazeta "Vreme".

është vështirë të kuptosh logjikën e planifikimeve të kursit të politikës së jashtme të kryeministrit Nikolla Gruevski, si në plan global, por sidomos në marrëdhëniet me fqinjët. Ajo që bie në sy është sidomos dukuria se Gruevski nuk ka ndërmarrë hapa dhe veprime serioze për të lehtësuar apo zgjidhur edhe probleme të trashëguara nga qeveritë e mëparshme në dosjet e marrëdhënieve dypalëshe me fqinjët. Vërtet çështja e emrit me Greqinë është e trashëguar, por kryeministri Gruevski ka bërë regres, duke ndërmarrë acarimin më të madh me Athinën, në krahasim me qeveritë e mëparshme të Shkupit. Ky acarim ndodhi në kohën kur Maqedonia sapo kishte vënë dorën në dorezën e derës së hyrjes në NATO, dhe do të ishte sot njëlloj si Shqipëria dhe Kroacia, një anëtare e NATO-s, nëse intransigjenca nacionaliste e kryeministrit do të kishte kuptuar se integrimi euroatlantik është më i rëndësishëm se mitologjia false historike që ushqen qëndrimin e tij politik. E njëjta mungesë e ndërgjegjshme gatishmërie bie në sy edhe në rastin e qëndrimit ndaj Bullgarisë, ku provokimet antibullgare duken më shumë reflekse të një kursi politik të planifikuar se sa incidente sporadike. Ndaj dhe hezitimi për nënshkrimin e një traktati miqësie me Bullgarinë dhe zvarritja afro trevjeçare e një përgjigjeje zyrtare, nuk mund të merren ndryshe, veçse si një qëndrim politik. Jo rastësisht edhe ish-ambasadori i Maqedonisë në Sofje, Georgi Spasov deklaronte lidhur me traktatin se "ky rast nuk duhet humbur. Maqedonia duhet të evitojë hapat që mund të irritojnë opinionin publik bullgar". Natyrisht se ekzistojnë shkaqe dhe motive të përcaktuara në bazën e qëndrimit dhe të politikës së kryeministrit Nikolla Gruevski. Për të mos i lënë shteg asnjë keqkuptimi për ndonjë të ashtuquajtur teori konspirative lidhur me qëndrimin e kryeministrit të Maqedonisë, ne po ia lëmë fjalën një ish-kryeministri të Maqedonisë, Lubço Georgievski, i cili presupozohet se e njeh mirë situatën, prapaskenat dhe lidhjet e brendshme dhe të jashtme të personaliteteve dhe të forcave politike në Maqedoni. Ja se si e shpjegon ish-kryeministri i Maqedonisë: "Ka disa struktura të vjetra në Maqedoni, të cilat i kanë shtyrë gjërat në një situatë të konfliktit konstant me Bullgarinë. Këto struktura kanë qenë gjithmonë pjesë e qeverisë. Duket qartë se ka forca që kanë nevojë t'i mbajnë marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë të ftohta. Maqedonia është viktimë e politikës së trashëguar nga Jugosllavia e dikurshme. Maqedonia e formulon qëndrimin e saj mbi bazat e një politike antibullgare, që vjen nga ish-Jugosllavia". Pavarësisht se ish- kryeministri maqedonas, edhe tetë vjet pasi ka ikur nga pushteti, ende ka drojën të identifikojë se kush është sot "Jugosllavia e dikurshme", kuptohet lehtë se pas atij eufemizmi diplomatik është Serbia, në qeverinë e së cilës kryeministri i sotëm maqedonas, Nikolla Gruevski ka marrë rrogë si këshilltar.
Marrëdhëniet mes dy shteteve në Ballkan janë çështje dypalëshe, por nëse në politikën ballkanike të një shteti konstatohen kurse të acarimit të marrëdhënieve, kjo nuk është pozitive për krejt klimën e marrëdhënieve në rajonin tonë dhe bëhet objekt i interesimit publik rajonal.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›