E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milloshoski: Maqedonia mbështet integritetin e Kosovës

PRISHTINE-Ministri i jashtëm i Maqedonisë ka deklaruar se vendi i tij mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe do t’i ndihmojë në procesin e liberalizimit të vizave.Këto komente Milloshoski i bëri gjatë takimit në Prishtinë me homologun e tij kosovar Skënder Hyseni.

Milloshoski, i cili do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës së Maqedonisë në Shkup, tha se kjo ngjarje është konfirmim i marrëdhënieve të mira ndërshtetërore në Kosovë. Ministri Hyseni theksoi se të dyja vendet do të intensifikojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Milloshoski është takuar dhe me presidentin Fatmir Sejdiu. - "Kosova dhe Maqedonia janë shembull i bashkëpunimit të mirë ndërfqinjësor në rajon", tha sot Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi në Prishtinë me ministrin maqedonas të Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski.

Sipas zyrës së shtypit të presidentit, Sejdiu vuri në dukje se dy vendet tashmë e kanë krijuar një bazë shumë të mirë të bashkëpunimit, e cila do të shërbejë për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella në të ardhmen.

"Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë, duke qenë fqinjë të parë, natyrshëm kanë interesa dhe ambicje të përbashkëta", u shpreh Presidenti Sejdiu, i cili çmoi hapat e Maqedonisë në procesin e integrimeve europerëndimore, sidomos përfshirjen e këtij vendi në procesin e liberalizimit të vizave.

Në këtë kontekst, Sejdiu theksoi se përvojat e Maqedonisë mund t’i shërbejnë si udhërrëfyes i mirë Republikës së Kosovës. Ndërkohë, Presidenti Sejdiu shprehu bindjen se Republika e Maqedonisë, sikundër deri më tani, do të vazhdojë të jetë një zë mbështetës për Kosovën në institucionet dhe forumet ndërkombëtare, në të cilat ajo merr pjesë.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira, ndërsa janë krijuar të gjitha mundësitë që ato të ngrihen në nivele edhe më të larta.

"Republika e Maqedonisë do të jetë udhëheqëse e radhës e Këshillit të Evropës, nga muaji maj deri në nëntor të këtij viti, dhe gjatë kësaj kohe do të jetë në dispozicion të institucioneve të Kosovës, për t’u ndihmuar atyre njësoj si deri më sot", garantoi ministri Milloshoski.
Presidenti Sejdiu dhe ministri Milloshoski morën pjesë më pas në inaugurimin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, mbërriti sot për vizitë zyrtare në Kosovë, me ftesë homologut kosovar Skender Hyseni.
Gjatë vizitës njëditore në Prishtinë, ministri i Jashtëm maqedonas, Milloshoski, do të pritet në një takim të veçantë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›