Kuba zbardh arkivin “sekret” të Ernest Heminguejt
Kuba ka hapur për të gjithë të interesuarit dhe dashamirësit e shkrimtarit të njohur Ernest Heminguej, arkivin që ajo zotëron.
Me mijëra dokumente, që i përkisnin shkrimtarit (fitues i çmimit “Nobel”) janë skanuar për t’u ardhur në ndihmë të interesuarve dhe studiuesve nëpërmjet kopjeve elektronike të këtyre dokumenteve.
Arkivi përfshin foto, letra, dorëshkrime si edhe një epilog të papublikuar të romanit të tij “Për kë bien kambanat?”. Të gjitha materialet janë ruajtur në qilarin e banesës së shkrimtarit në Havana dhe hedhin dritë mbi jetën e tij në ishullin ku Heminguej jetoi për dy dekada. Janë dixhitalizuar 3194 faqe, që u përkisnin rreth dy mijë dokumenteve dhe është hera e parë që ato mundësohen për publikun e gjerë. Rreth një mijë dokumente të tjera presin që të skanohen. Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet vendore, ndërkohë që thonë se “bëhet fjalë dhe për mesazhe të koduara të dërguara drejt nëndetëseve gjermane, që operonin përtej ishullit, si dhe për 3500 foto e nëntë mijë libra, të cilat ruajnë ende shënimet e Heminguejt anash faqeve. Kërkesat për kopjet elektronike do t’i drejtohen Këshillit të Trashëgimisë së Kubës.
9 Janar 2009