E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luçiano Moxhi dënohet me burg



Luçiano Moxhi, ish-drejtori i Juventusit, u ndëshkua me një vit e gjashtë muaj burg me arrest shtëpie në përfundim të procesit “Gea World”. Për parregullsi të gjetura në shoqërinë më të njohur italiane të menaxhimit të lojtarëve, me një numër të madh lojtarësh të Serisë A e B (përfshirë edhe Erion Bogdanin), Alesandro Moxhi, djali i “Big” Luçiano, u ndëshkua me 14 muaj burg. Të pafajshëm u gjendën edhe Franko Zavalja, Davide Lipi (djali i Marçelo Lipit) dhe bashkëpunëtorët e Moxhëve, Paskuale Gallo e Françesko Çeravolo.

PROKURORI - “Respektojmë vendimin e gjykatës”, - ky ishte komenti i prokurorit të procesit “Gea”, pas ndëshkimit të Moxhëve, atë e bir. Akuza kishte kërkuar 6 vjet burg për Luçiano Moxhin dhe 5 për të birin, ndërkohë që “Big Luçiano” u ndëshkua me 18 vjet burg, ndërsa i biri me 14 muaj.

MOXHI - “Është një turp!”. Ky ishte komenti i Luçiano Moxhit, i cili premtoi një “gol të artë” në Gjykatën e Apelit në Itali. “Më vjen shumë keq për djalin tim Alesandro”, - vazhdoi ai, - “nuk e prisja këtë vendim. Pas asaj që tha prokurori Palamara nuk e prisja të ndodhte”.

LIPI JR. – “Jam i lumtur me vendimin për mua dhe për familjen time”, - këto ishin fjalët e para të Davide Lipit në fund të procesit “Gea”. “Ky proces ishte një vuajtje e madhe për mua, pasi kam qenë i pafajshëm, megjithatë mësova shumë. Do të punoj me qetësi të madhe e me dinjitet. Dua të falënderoj në veçanti të gjithë lojtarët që treguan besim të plotë”, - tha Davide Lipi, djali i trajnerit të Kombëtares italiane, Marçelo Lipi.

Kërcënimi i Mançinit, vazhdon gjyqi

Në Itali u zhvillua gjyqi kundër katër tifozëve të Fiorentinës të akuzuar për dhunë verbale ndaj Roberto Mançinit, i cili më pas u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2002. Tekniku italian ishte në atë kohë në drejtimin e Fiorentinës dhe sipas akuzës ishte kërcënuar pranë shtëpisë së tij, çka e detyroi më pas të jepte edhe dorëheqjen nga detyra. Më 27 mars të vitit të kaluar, pasi u dëgjua në rolin e të dëmtuarit, Mançini u tërhoq nga çështja, por procesi vazhdoi pasi akuza për dhunë verbale u ndoq nga zyra e hetimeve.

“Top 11”-shi i dhëndrit të Maradonës

“Sulmuesit më të mirë të Europës në vitin 2008? Alesandro Del Piero dhe Zlatan Ibrahimoviç”. Ky është mendimi i Serxho Agueros, sulmuesit të Atletikos së Madridit. Dhëndri i Maradonës, i intervistuar nga faqja zyrtare e UEFA-s, propozoi “11-shin e tij ideal të vitit 2008”. “El Kun” hodhi në fushë, përveç kapitenit të Juventusit e jashtëklasit të Interit, Cehun në portë, Sanja, Karvajo, Ferdinand e Evra në mbrojtje, Kristiano Ronaldo, Ksavi, Fabregas dhe Riberi në mesfushë.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›