Vllaznia, e 213-ta në botë
Vllaznia, kryesuesja e Kategorisë Superiore (34 pikë, pas 17 javëve) dhe kampionia e dimrit në kampionatin shqiptar, vazhdon të jetë skuadra e vetme nga Shqipëria që renditet midis 352 ekipeve më të mira të botës të listuara në periudhën kohore midis 1 janarit 2008 e 31 dhjetorit 2008. Nëntë herë kampionia e Shqipërisë, sipas Institutit të Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS), tashmë renditet në vendin e 213-të me 79 pikë, duke realizuar një ngjitje prej 44 vendesh në raport me një muaj më parë, kur renditej në vendin e 267-të me 73 pikë. Vllaznia, 6 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, lë pas vetes jo pak, por 139 skuadra në botë, pjesëmarrëse në aktivitetet ndërkombëtare botore e europiane në nivel klubesh. Skuadra e presidentit Valter Fushaj ka po aq pikë sa skuadra nga Arabia Saudite, Al-Ittihad Aleppo, ajo skoceze Aberden dhe Deportivo Cuenca nga Ekuadori. Vllaznia bëri një paraqitje të mirë në Kupën UEFA, teksa eliminoi në turin e parë eliminator sllovenët e Koperit (fitoi 2-1 në Slloveni, barazoi 0-0 në “Loro Boriçi”). Në turin e dytë eliminator, skuadra shkodrane u shkërmoq nga Napoli, që fitoi 3-0 në Shkodër dhe 5-0 në “Sao Paolo” të Napolit. Renditja e re botërore kryesohet nga Mançester Junaitid me 292 pikë (+ 1 vend). Skuadra angleze ndiqet nga Bajerni i Munihut (272 pikë, + 4 vende) dhe në podiumin e tri më të mirave ndodhet edhe Liverpuli (267 pikë). Barcelona është humbsja e madhe, pasi nga vendi i parë ka zbritur në vendin e 4-t me 266 pikë.
Ekipet e shqiptarëve
Marseja e kapitenit Lorik Cana është ekipi i parë që shfaqet në listën e 350 ekipeve më të mira. Skuadra franceze ndodhet në vendin e 25-të me 173 pikë (+ 5 vende nga muaji dhjetor).
Anorthosis Famagusta e portierit Arian Beqaj ndodhet në vendin e 89-të me 125 pikë (+ 1 vend). Lacio e drejtorit sportiv shqiptar Igli Tare ndodhet në vendin e 97-të me 118 pikë (+ 23 vende).
Arisi i Selanikut i Kristi Vangjelit në vendin e 140-të me 99 pikë. Vorskla Poltava e Debatik Currit dhe Armend Dallkut ndodhet në vendin e 271-të me 71.5 pikë (+13 vende). Omonia e Klodian Duros renditet e 279-a me 69.5 pikë (+ 31 vende). Apoel i Altin Haxhit ndodhet në vendin e 326-të me 64.5 pikë (+ 12 vende).
Palermo e Saimir Ujkanit renditet në vendin e 330-të me 64 pikë.
RENDITJA
1. (2.) Mançester Junaitid, Angli 292.0 pikë
2. (4.) Bajern Munih, Gjermani 272,0 pikë
3. (2.) Liverpuli, Angli 267,0 pikë
4. (1.) Barcelona, Spanjë 266,0 pikë
5. (5.) Boka Juniors, Argjentinë 262,0 pikë
6. (6.) Çelsi, Angli, 253,0 pikë
7. (9.) Roma, Itali 240,0 pikë
8. (10.) Estudiantes, Argjentinë 230,0 pikë
8. (11.) Fiorentina, Itali 230,0 pikë
10. (12.) Sao Paulo, Brazil 223,0 pikë
----------------
213. (267.) Vllaznia, Shqipëri 79.0 pikë
213. (237.) Al Ittihad, Arabia Saudite 79.0 pikë
213. (217.) Deportivo Cuenca, Eduador 79.0 pikë
213. (152.) Aberdeen, Skoci 79.0 pikë
Vendi i 56-të
Pak ditë më parë, në renditjen e stiluar për fortësinë e kampionateve botërore për vitin 2008, po nga Instituti i Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS), kampionati shqiptar i futbollit, Kategoria Superiore, renditej në vendin e 56-të. Kampionati më i mirë në botë cilësohet Premier League në Angli, i ndjekur nga Seria A (Itali) dhe i treti ai i Argjentinës.
Futbolli shqiptar “pushtohet” nga serbët
Dy lojtarë serbë, qendërmbrojtësi Ivan Shjavoviç (22 vjeç, 193 cm) dhe sulmuesi Nemanja Mrdakoviç (19 vjeç, 191 cm), janë në provë te Bylisi. Dy lojtarët administrohen nga menaxheri i njohur i agjencisë “Vata Vision Football Management”, Mario Cenolli. “Janë dy lojtarë cilësorë”, - tha Cenolli për “Albania-sport.com”. “Besoj se do t’i shërbejnë Bylisit për pjesën e mbetur të sezonit”, - shtoi ai. Në Shqipëri, lojtarët serbë kanë lënë përshtypje të mira dhe disa syresh ndodhen edhe te Apolonia e Fierit. Brenda javës priten të jenë nën urdhrat e trajnerit Hysen Dedja edhe dy brazilianë e një kamerunas. Presidenti Kapllanaj ka marrë me huazim nga Tirana, Florenc Arapin, ndërsa në provë është ende Goran Moraviç.
Kotbus kërkon të zgjasë kontratën me Skelën
Menaxheri i Energi Kotbusit, Shtefën Hajdrich, do të nisë bisedimet me Ervin Skelën për përtëritjen e kontratës së fantazistit shqiptar. Marrëveshja aktuale përfundon në fund të sezonit dhe të dyja palët, si klubi i Kotbusit, ashtu edhe mesfushori shqiptar, janë shprehur për zgjatjen e saj. Sipas gazetës gjermane “Lausitzer Rundschau” bisedimet do të zhvillohen gjatë fazës përgatitore në Qipro. Skela do të përballet edhe me Klodian Duron, në sfidën Energi Kotbus-Omonia Nikosia, gjatë një turneu që do të zhvillohet në Qipro. Për të kujtuar është fakti se Ervin Skela e Klodian Duro kanë qenë shokë skuadre te Arminia Bielefeld. Në atë kohë, bashkë me ta ndodhej edhe Fatmir Vata.
9 Janar 2009