E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hida: Opozita konfuze, nuk ka program për ekonominë e vendit

17/06/2009  Sybi Hida, kandidat i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, flet në një intervistë për përparësitë e fushatës së PD-së dhe arritjet e saj në mandatin që po mbyllet. Me një gjuhë të kthjellët, ai analizon disa prej sjelljeve të opozitës në lidhje me ecurinë ekonomike të vendit. Sybi Hida është aktualisht drejtor i përgjithshëm i politikave makroekonomike në Ministrinë e Financave. Ai është një prej kandidatëve të rinj të PD-së, është laureuar për ekonomi në Britaninë e Madhe, ka ligjëruar për disa kohë lëndën e makroekonomisë në universitetin e Tiranës. Nga viti 2006 deri në vitin 2008 ai ka punuar në Uashington për Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe ka mbuluar atje vendet e Evropës Linodre, kryesisht Moldavinë.

- Zoti Hida, ju jeni ndër kandidatët e rinj të Partisë Demokratike, një teknokrat i shkolluar në Perëndim dhe që ka punuar për FMN-në, si e gjykoni pjesëmarrjen tuaj në garën elektorale, ftesën e demokratëve për të qenë kandidat i tyre?

- Në krye dua të them se Partia Demokratike është një parti e jashtëzakonshme dhe e mbushur me politikanë të zotë, të cilët përfaqësojnë gjithashtu profesionistë shumë të mirë në të gjithë fushat. Unë ndihem shumë i vlerësuar nga Kryeministri Berisha dhe nga kryesia e Partisë Demokratike, siç ndihem shumë në detyrim ndaj kësaj përgjegjësie. Kjo parti gjithnjë ka qenë kredoja e çdo shqiptari që ka aspiruar liritë dhe sjelljen politike të botës perëndimore. Personalisht ndihem shumë i vlerësuar që jam në atë listë dhe që kam fatin të jem në këtë garë zgjedhore, ku më qartë se kurrë Partia Demokratike bart një bilanc të shkëlqyer, duke bërë shpresëplotë të gjithë qytetarët se përpjekjet për një Shqipëri demokratike dhe në Europë janë vërtet pranë asaj që kemi dashur. Një parti e madhe dhe me vlera të mëdha si Partia Demokratike do të bënte gjithkënd të ndihej i vlerësuar. Përpos kësaj, vokacioni im ka qenë gjithmonë kah kjo parti, e cila duhet thënë se ishte ajo që rrëzoi komunizmin në këtë vend me anë të një aleance të madhe politike dhe shoqërore në vitin 1991.

- Ju kandidoni në Qarkun e Elbasanit dhe konkretisht po drejtoni fushatën e PD-së në Gramsh, që është vendlindja juaj. Si po shkon fushata? Çfarë presin qytetarët atje, a e vlerësojnë të mirë qeverisjen apo janë të pakënaqur?

- Në fakt, gjithkund pritshmëritë e qytetarëve janë të larta në të gjithë botën. Qytetarët shqiptarë nuk bëjnë përjashtim, por qeverisja e këtyre katër vjetve ka qenë qartësisht e dallueshme nga ajo e viteve kur kanë qeverisur socialistët. Kjo e ka bërë më të thjeshtë fushatën për Partinë Demokratike dhe për mua. Gramshi, si çdo rreth tjetër në vend, ka pasur investime shumë më të mëdha, biznesi ka ndier lehtësitë fiskale dhe sjelljen shumë më të mirë të administratës, rritja e pagave dhe pensioneve është shumë e ndjeshme dhe qytetarët e dallojnë këtë. Më e rëndësishme është se qytetarët e kanë shumë të qartë se qeveria ka qenë shumë serioze, ndërsa bëjnë krahasimin me opozitën e sotme. Qytetarët shqiptarë gjatë gjithë këtyre viteve kanë mësuar shumë dhe dinë të kuptojnë shumë lehtë se cila qeveri punon seriozisht, cila qeveri bën realisht punë, investon dhe ndikon drejtpërdrejt në rritjen e pagave dhe pensioneve. Vështirësitë janë ende të mëdha dhe vendi është ende me nevoja të konsiderueshme për investime në infrastrukturë, arsim shëndetësi etj. Edhe varfëria në disa kategori shoqërore është e pranishme pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm. Duhet thënë se varfëria është një problem shumë i madh dhe përvoja botërore tregon se ajo kërkon kohë të zhduket. Shumë prej vendeve të zhvilluara sot kanë dashur vite të dalin nga varfëria. Ato ndonëse rriteshin me 6-10% në vit, përsëri u desh kohë. Kjo është një gjë që çdo ekonomist e ka të qartë. Në rastin e vendit tonë, i cili duhet thënë ka qenë i varfër me dekada e dekada, kjo gjë është edhe më e vështirë. Arrijet janë vërtet mbresëlënëse dhe institucionet më të specializuara në botë në përcaktime të tilla, si FMN-ja dhe BB-ja i kanë vlerësuar këto arritje të Shqipërisë një këta katër vjet si të jashtëzakonshme. Ndoshta qytetarët kto gjëra i kuptojnë edhe më shumë se politikanët dhe se opozita e sotme.

- Duke qenë se ju jeni një ekspert i njohur i ekonomisë dhe keni punuar dy vjet në Uashington në zyrat qendrore të FMN-së, duke u marrë me vendet e Europës Lindore, ç’mund të na thoni për ekonominë shqiptare sot dhe për alarmin e opozitës se vendi është në krizë?

- Në fakt, po të dëgjosh ato që thotë opozita për ekonominë, do të mbetesh i befasuar dhe do të ndjesh keqardhje shumë të madhe për mjerimin e saj dhe të nivelit me të cilin ajo gjykon këto zhvillime. Kjo është shumë e rëndë kur mendon se ajo pretendon të marrë drejtimin e qeverisë. Unë e kuptoj se, të jesh në opozitë do të thotë që edhe mund të ekzagjerosh diçka, por që të thuash gjëra të pakuptimta, krejt joreale, duke stisur një realitet ku shihet vetëm krizë, kjo të sjell në mendje Marksin. Marksi ndërtoi gjithçka, çdo përcaktim, çdo pikëpamje dhe të gjithë teorinë e tij, duke e menduar botën në krizë. Jemi në kohë shumë të largëta dhe është e pafalshme që ajo që quhet “politikë e re” të mbërrijë në këtë pikë. Shqipëria është sot vendi i vetëm që po mundet të ketë rritje ekonomike, në një kohë kur jo vetëm vendet e mëdha e të zhvilluara janë në reçesion, por edhe të gjitha vendet e rajonit janë në reçesion. Vendet e Europës Lindore kanë pak a shumë specifika të njëjta me Shqipërinë: ekonomi tregu e re, që po përpiqet t’i ikë marrëzisë së ekonomisë së planifikuar, sistem bankar i përbërë nga degë të bankave të Europës Perëndimore, investime të huaja diete, që vijën nga këto vende, deficit tregtar, i cili mbulohet me remitanca në një shkallë të caktuar etj. Shqipëria është i vetmi vend që nuk është zhytur në reçesion, dhe kjo është pasojë jothjesht e izolimit, siç thotë opozita, por e reformave në legjislacionin fiskal, në shpenzimet publike, në administrimin fiskal, në çlirimin e biznesit nga shumë barriera, në rritjen e pagave etj. Ka vend enë Europën Lindor që janë po kaq të hapur sa Shqipëria ekonomikisht, që kanë të njëjtë shkallë varësia nga tregu global dhe nuk kanë këtë gjendje të rritjes ekonomike, por kanë rënë në recesion.

- Si e gjykoni programin ekonomik të opozitës, a është ai i zbatueshëm dhe realist?

- Parimisht një kandidat për deputet i Partisë Demokratike do ta kritikonte një program të Partisë Socialiste, kështu do të ndodhte gjithkund, por në fakt unë e kam të pamundur ta shoh me dashamirësi atë program dhe kjo thjesht dhe vetëm sepse ai nuk është një program, por një grupim idesh të përgjithshme, të cilat nuk të lejojnë të kuptosh se çfarë kërkohet të arrihet dhe çdo të ngjasë me këto ide, nëse kërkon të marrësh masa konkrete bazuar mbi to. Aty thuhet “do të ulim taksat dhe do të heqim akcizën e naftës për fshatin, do të ndërtojmë një ministri të fshatit, do të ngremë kartën sociale për gjithkënd” etj. Një ditë më parë dëgjova nënkryetarin e Bashkisë, zotin Shalsi, që tha se do të heqim taksën e sheshtë, ndërkohë kjo nënkupton vendosjen e taksës progresive që do të thotë rritje taksash. Flitet për ndërtimin e modeli të ri të ekonomisë, duke ndryshuar strukturën aktuale të GDP-së, që vërtet është krejt jo realiste. Është një program konfuz idesh të pamenduara qartë dhe që nuk mund të sjellë asgjë në ekonominë e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›