E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shmangia e votimit familjar, Bosh apel KQZ-së

17/06/2009  “Rritja e pjesëmarrjes femërore në proceset zgjedhore”, diplomohen gratë e projektit

Presidenti Topi kërkon vijimin e reformave në drejtësi pavarësisht fituesit

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Bosh u ka bërë apel dje politikanëve shqiptarë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të mos lejojnë votimin familjarë në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke e cilësuar këtë si një praktikë të proceseve zgjedhore shqiptare, Bosh ka tërhequr vëmendjen në ndalimin e përsëritjes së këtij fenomeni, me qëllim që ai të mos njollosë standardet ndërkombëtare të procesit zgjedhor. “Autoritetet e administrimit të zgjedhjeve kanë një përgjegjësi të qartë për të parandaluar kryerjen e veprimeve të tilla në ditën e zgjedhjeve. Të biem dakord që në zgjedhjet parlamentare shqiptare të viti 2009 populli shqiptar do ta hedhë tej fenomenin e shëmtuar të votimit familjar në koshin e plehrave të historisë se politikës, aty ku e ka vendin dhe do të votojë sipas zgjedhjes së vet”, - tha ai. Në kuadër të vendimit të Ministrisë së Brendshme për të shtyrë afatin e aplikimit për kartat e identitetit, ambasadori i OSBE-së në vendin tonë u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të zotërojnë një letërnjoftimi të vlefshme që të shkojnë dhe të aplikojnë dhe gjithë atyre që kanë aplikuar të tërheqin kartat e tyre. I njëjti apel u prezantua edhe nga kryetari i shtetit Bamir Topi, i cili vuri theksin te standardet e zgjedhjeve. Deklaratat e tyre Bosh dhe Topi i bënë në ceremoninë e diplomimit të grave të përfshira në projektin “Rritja e pjesëmarrjes femërore në proceset zgjedhore”. Kreu i shtetit shqiptar menjëherë pas këtij aktiviteti, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në vijim të argumentit lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit shprehu shqetësimin lidhur me vijimin reformave në drejtësi. Sipas tij, këto reforma është e rëndësishme të vijojnë pavarësisht se cili do të jetë humbësi dhe cili fituesi. “Kam thënë se pavarësisht cili do të jetë fituesi, pavarësisht se cili do të jetë humbësi (në të vërtetë në demokraci nuk ka asnjë të humbur), është e detyrueshme që ato të shprehen për një vullnet pozitiv në arritjen e konsensuseve të gjera, sepse kërkohen votime të cilësuara dhe domosdoshmërisht është shumë e rëndësishme që reformat në drejtësi të vazhdojnë”, - përfundoi Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›