Hiddink i gatshëm për Chelsean

Guus Hiddink ka dërguar mesazh të qartë për Chelsean duke deklaruar se dëshiron që sërish të përfshihet në një klub.
Selektori i Turqisë është kandidati kryesor për postin vakant të menaxherit në Stamford Bridge, pas shkarkimit të Carlo Ancelottit.
Holandezi më parë me sukses udhëhoqi ekipin londinez gjatë aventurës së përkohshme në sezonin 2008-09 dhe është i adhuruar në Stamford Bridge.
Dhe, me spekulimet e vazhdueshme për rikthimin e tij në Chelsea, Hiddink ka bërë të ditur se është i gatshëm të përfshihet sërish në një klub.
“Kurrë nuk i kam thënë askujt se do të vazhdoj të punoj me Turqinë”, tha 64-vjeçari për tabloidin anglez, The Sun.
“Ndihem energjik dhe më pëlqen puna e përditshme. Ndjej se kam nevojë të bëj më tepër, andaj një rol në klub është më i preferuar se posti i selektorit. Nuk ia kam thënë këtë presidentit të Federatës turke. Por, ai është njeri inteligjent dhe jam i sigurt se përcjell mediet botërore. Nuk ka ende një ofertë zyrtare, andaj nuk mund të garantoj asgjë”, përfundoi ai.
Në rast se i mbërrin një e tillë, Hiddink pritet të fillojë bisedimet me drejtuesit e Chelseas, javën e ardhshme, pas ndeshjes kualifikuese për Euro 2012, që Turqia e zhvillon kundër Belgjikës të premten.