Mbylleni gojën dhe luani futboll
Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie ka bërë kritika të ashpra ndaj Kombëtares spanjolle dhe rivalit të Premierligës, Chelsea duke thënë se e ka “vështirë të kuptojë” presionin e tyre të vazhdueshëm ndaj gjyqtarëve.
Arsenali u eliminua nga Barcelona në rrethin e dytë të garës në Ligën e Kampionëve, ku Van Persie u përjashtua me karton të kuq.
“Futbollistët spanjollë gjithmonë i shkojnë gjyqtarit duke kërkuar prej tij të ndëshkojë kundërshtarin. Ata mundohen t’i dënojnë kolegët e tyre. Një sjellje e tillë më zemëron”, tha Van Persie për Sport 1.
“Ata që i përcjellin ndeshjet nga televizioni dhe tifozët në stadium, nuk duan të shohin gjëra të tilla. Nëse doni të jeni dëshmitarë të ankesave, ju mund të shkoni në një furrë ose diçka të tillë. Edhe atje ka gjithmonë njerëz që ankohen”, shtoi ai.
I pakënaqur vetëm me sulmin ndaj spanjollëve, Van Persie akuzoi edhe Chelsean. “Futbollistët e Chelseas gjithmonë u bëjnë presion gjyqtarëve. Nuk mund ta kuptoj këtë. Thjesht mbylleni gojën dhe luani futboll”, përfundoi ai.
Van Persie kaloi një sezon dëshpërues, ku Holanda u mposht në finale të Kampionatit botëror 2010, nga Spanja para se Arsenali të eliminohet nga Barcelona në Ligën e Kampionëve. Për të përkeqësuar gjërat, skuadra londineze përfundoi e katërta në Premierligë, pasi Chelsea dhe Manchester City i tejkaluan ata në tabelë në javët vendimtare të sezonit.