E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wenger kërkon futbollistë të gjatë

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka njoftuar se kërkon futbollistë të gjatë për të zgjidhur problemet e skuadrës së tij në mbrojtje dhe eliminimin e pranimit të golave nga ndërprerjet. Ai beson se Topçinjtë janë vetëm 5 për qind larg titullit të kampionit në Angli. Nga Express më 03 qershor 2011 në ora 11:06

Me vite, Arsene Wenger ka thënë se madhësia nuk ka rëndësi, por duket se gjashtë sezone pa titull kanë bërë që ai të ndërrojë mendimin pasi pranoi se njëri prej prioriteteve të tij gjatë verës do të jetë transferimi i futbollistëve të gjatë.

Arsenali pranoi 43 gola në Premierligë, sezonin e kaluar, ku ndërprerjet kanë ekspozuar dobësinë e tyre kryesore, por Wenger beson se e ka zgjidhjen për problemet defensive të ekipit të tij, derisa mundohet ta zë Manchester Unitedin, Chelsean dhe Manchester Cityn.

“Kemi pranuar shumë pak gola nga loja e hapur, shumica e tyre ishin nga ndërprerjet dhe kjo është mënyrë nga e cila ju nuk dëshironi të pranoni gola”, tha Wenger për të përditshmen angleze, The Guardian.

“Është diçka e lehtë për t’u korrigjuar. Ne duhet të përmirësojmë madhësinë e ekipit. Na nevojitet të shtojmë gjatësinë e futbollistëve tanë. Duhet të jemi më të aftë të luftojmë kundër disa karakteristikave që na kanë krijuar vështirësi sezonin e kaluar”, shtoi ai.

Arsenali përfundoi 12 pikë prapa kampionit Manchester United, pas rënies drastike në fazën përfundimtare të sezonit që konfirmoi pengesën e tyre psikologjike që vazhdon t’i mundojë ata. Wenger e kupton “dashurinë e dëshpëruar” nga tifozët e Arsenalit, por insiston se ekipi është vetëm 5 për qind larg titullit të kampionit.

“Kritikat kanë qenë më të ashpra këtë vit për shkak të padurimit të njerëzve. Ata janë mësuar që në te jemi në Ligën e Kampionëve, andaj duhet t’u japim më tepër, por nuk kemi qenë në gjendje ta bëjmë këtë. Njerëzve u pëlqen ajo çfarë bëjmë ne, por ata duan të shpërblehen dhe të binden se jemi duke i bërë gjërat në mënyrën e duhur. Ata duan dëshmi se jemi duke i bërë gjërat në mënyrën e duhur. Për tifozët tanë dëshpërimi erdhi pasi ne ishim shumë pranë të bindim të gjithë, por në fund nuk arritëm ta realizojmë”, u shpreh ai.

Wenger, i cili spekulohet me transferimin e mbrojtësit të Lensit, Raphael Varane theksoi:

“Do ta quaja dashuri të dëshpëruar. Është e mundimshme që nganjëherë merrni reagime të tepërta, e ndaj dhe i kuptoj mendimet e tyre. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të ndryshojmë filozofinë tonë në mënyrën si udhëhiqet klubi. Ne jemi 95 për qind të saktë, por na nevojiten edhe ato 5 për qind, sepse është vështirë të flirtoni me sukses, siç kemi bërë ne. Tifozët janë të pakënaqur që nuk e kemi fituar ligën, por ne ishim afër. Më 2003, ne ishim ekipi më i mirë në udhëtim, por nuk fituam. Ne vazhduam dhe më 2004 kemi qenë shumë të fuqishëm”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›