Hiddink përshëndetet me Turqinë

Trajneri holandez e kishte marrë këtë detyrë në gusht të vitit 2010, me objektivin kryesor – kualifikimin në Kampionatin Evropian ‘Euro 2012’, por ai në fund dështoi, pasi që turqit u eliminuan në barazh nga Kroacia.
“Pas negociatave në mes të Guus Hiddink dhe Federatës Turke të Futbollit, u arrit marrëveshja që ta ndërpresim kontratën me trajnerin. Dëshirojmë ta falënderojmë Hiddinkun për punën e tij me Turqinë dhe t’i urojmë atij gjitha të mirat në të ardhmen”, është komunikata zyrtare e TFF.
Turqia përfundoi e dyta në fazën kualifikuese për ‘Euro 2012’ prapa Gjermanisë, kështu që u desh të luante me Kroacinë në ndeshjet e barazhit.
Turqit humbën në shtëpi me rezultat 3:0, ndërsa të martën mbrëma, skuadrat barazuan pa gola, 0:0, rezultat ky që i konvenoi kroatëve, të cilët u kualifikuan në evenimentin që mbahet vitin e ardhshëm në Poloni dhe Ukrainë.
65 vjeçari kishte kontratë me Turqinë deri vitin e ardhshëm, por palët vendosën ta shkëpusnin atë tash. Në të kaluarën, Hiddink ka drejtuar edhe Kombëtare të tjera si atë të Holandës, Koresë së Jugut, Australisë dhe Rusisë.