E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria barazon me Maqedoninë, pret emërimin e trajnerit

Nga ANDI MATRAXHIU

 Shqipëri – Maqedoni 0-0

Kuqezinjtë ndahen në paqe me maqedonasit në një ambient të ftohtë e armiqësor, ndërsa në Shqipëri nuk patën mundësi ta shikonin ndeshjen

Shqipëria: Hidi, Lila, Dallku, Teli, Agolli, Cana, Roshi (Muzaka 56),Vila (Veliu 90), Hyka (S. Lilaj 85), Bakaj (Januzi 34) (G. Lika 84), Salihi (Kapllani 56). Trajner: Xh. Mustedanagiç.

Maqedonia: Pancovski, Todorovski, Ivanovski, Georgevski, Dimitrovski, Demiri, Gjerorgjevski, Shumelikovski, Moisov, Naumovski, Hasani (u aktivizuan: Nuredinovski, Lazeski, Fetai, Ibrahimi, Pancovski, Sikov, Gligorov). Trajner: Xhon Toshak

Kartonë të verdhë: Moisov, Gjeorgjevski, Ibrahimi / Cana, Dallku, Lila

Gjyqtarë: S. Vinçiç, A. Kokol, B. Ul

Radiografia

2- Hyka jep sinjalin e parë drejt sulmit, po ndërpritet në zonë nga një mbrojtës, i cili largon rrezikun.

6- Hasani lëviz bukur në zonë mbas një kombinimi me Naumovskin, por Cana ndërhyn i sigurt.

13-  Hyka futet në qendër, shmang dy mbrojtës, lëshon një asist për Roshin, i cili i vetëm me Pancovskin, shumë pranë portës, godet shumë keq.

17-  Hyka shmanget bukur nga e majta, ku gjen të lirë Roshin, që vonohet në goditje. Ivanoski largon rrezikun, duke e larguar topin larg zonës.

25- Kombinim i bukur Vila-Bakaj, ky i fundit gjuan fort, por topi përfundon jashtë.

30- Goditje dënimi për Maqedoninë, ekzekuton Hasani, që gjen të lirë Moisovin, i cili godet me kokë jashtë.

34- Bakaj detyrohet të lërë fushën pas një ndërhyrjeje të ashpër të njërit prej lojtarëve maqedonas, i cili nuk ndëshkohet me karton me gjithë protestat e tanëve.

37- Hasani me një goditje dënimi fut një top në zonë për Naumovskin, i cili shënon me kokë, por anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje.

47- Hyka lëshon një top për Canën, i cili gjendet përballë portierit Nuredinovski, por gardiani maqedonas tregohet më i shpejtë.

62- Goditje këndi për tanët, Hyka ekzekuton në mënyrë perfekte për Telin, i cili kërkon të bëjë një roveshatë spektakolare, por topi përfundon larg portës.

66 – Kundërsulm i kuqezinjve me Kapllanin, i cili tregohet egoist dhe nuk shërben për shokët e tij: Hyka dhe Muzaka gjenden të lirë.

70- Cana lëshon një top vertikal për Kapllanin, që gjendet i lirë, por Moisov ndërpret me dorë. Me gjithë protestat e tanëve që kërkojnë kartonin e kuq për Moisovin si lojtari i fundit, gjyqtari mjaftohet vetëm me kartonin e verdhë. Ekzekuton në mënyrë perfekte Cana, por portieri maqedonas Nuredinovski shtyn topin.

75- Lila niset nga e djathta, kroson në zonë ku gjen të lirë Muzakën, i cili edhe pse brenda zonës, fare pranë portës, heziton dhe topi i hiqet nga këmbët.

77- Kapllani humbet topin në mesfushë, përfiton Ibrahimi, që depërton në qendër, por Hidi ndërhyn i sigurt.

Komenti

Shqipëria arriti një barazim të bardhë, pa gola dje në Prilep të Maqedonisë. Kuqezintë zbritën në fushën e blertë me të njëjtin formacion si në pjesën e dytë ndaj Azerbajxhanit. Vila zëvendësonte Bogdanin, që sishte i pranishëm në Maqedoni. Ndërkohë që maqedonasit e nisin sfidën me disa mungesa, midis tyre sulmuesi i mirënjohur, ish-Inter dhe Lacio, aktualisht aktivizohet në radhët e Napolit, Goran Pandev.

Me forca të shumta në mesfushë, kuqezinjtë tanë janë më kompaktë dhe nuk përsëritin gabimet e hasura 45-minutëshin e parë në miqësorën e kaluar. Madje të besuarit e Mustedanagiçit i afrohen golit shumë shpejtë me anë të Roshit, që pas një asisti të Hykës, e sheh veten i vetëm me portierin vendës, por me të majtën godet në mënyrë të pasaktë. Shqipëria ka më shumë hapësira, por do të jenë maqedonasit që i afrohen golit dhe arrijnë të shënojnë, por është vijërojtësi që anulon gjithçka.

Shqipëria humbet Bakajn pas një dëmtimi, në vendin e tij hidhet Januzi për të shtuar forcat sulmuese. Pjesa e parë përfundon me raste sporadike për të dyja skuadrat, ndërkohë që kuqezinjtë kanë zotërim më të shumtë të topit, por pa gjetur rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë Mustedanagiç kërkon të zëvendësojë dhe forcon krahun e djathtë, duke nxjerrë Roshin për Muzakën dhe sulmin, teksa aktivizohet Kapllani në vend të Salihit.

Por simfonia nuk ndryshon, tentativa të vakëta të të dy ekipeve, ku edhe maqedonasit kanë një shans të mire, teksa sulmuesi vendës i vetëm me Hidin ndalet në mënyrë perfekte nga ky i fundit. Trajnerët respektivë kryejnë edhe zëvendësime të tjera, por sërish goli mungon. Ky barazim është një rezultat i pranueshëm për kuqezinjtë tanë, të cilët kanë arritur të mbulojnë sadopak humbjen e fundit në shtëpi, në një miqësore ndaj Azerbajxhanit ku kritikat kanë qenë të shumta.

Duhet thënë se terreni i stadiumit Goce Dellçev në Prilep ka lënë vërtet për të dëshiruar. Futbollistët smund të jepnin më të mirën e tyre dhe shpeshherë kondicionoheshin nga këta faktorë. Ndërkohë që edhe fansët vendës skanë qenë aspak dashamirës, por thirrjet e tyre raciste kanë shpërqendruar në disa momente dhe nervozuar futbollistët kuqezinj.

Gjithsesi, tema e trajnerit mbetet tepër e përfolur në kampin kuqezi, e tashmë duke harruar këto miqësore, duhet menduar për emrin e ri që do të drejtojë pankinën kuqezi. Pa dyshim, puna do të jetë tepër voluminoze, duke përmendur disa emra që duhen zëvendësuar, si Altin Lala, Ervin Skela e të tjerë.

Talentet nuk mungojnë, e kthetrat mund të zgjaten edhe tek përfaqësuesja Shpresa, teksa ka lojtarë që japin sinjale të vazhdueshme, siç është edhe new entry më i ri Armando Sadiku. Shpresojmë në një zgjedhje të duhur në emrin e trajnerit që do ti besohet e ardhmja e kuqezi për të plotësuar ëndrrën e përhershme të shqiptarëve, e cila padyshim smund të vijë rastësisht, por me një punë voluminoze dhe të palodhur nga të gjithë eksponentët e kombëtares së Shqipërisë.

Vëzhgim

Turpi i TVSH-së, ska 12 mijë euro për kombëtaren!?

Shqipëria ka mbi 800 mijë familje, që paguajnë çdo muaj bashkangjitur në faturën e energjisë elektrike, 100 lekë të reja taksë për televizionin shqiptar. Me një llogari të thjeshtë matematikore, çdo muaj shteti grumbullon mbi 80 milionë lekë të reja, ndërsa në vit kjo shifër shkon në 960 milionë, pra thuajse 1 miliard të reja.

Sollëm në dritë shifrat e mësipërme për të kuptuar mundësitë që ka Televizioni Publik Shqiptar, që mbahet me taskat e qytetarëve të thjeshtë, për të transmetuar ndeshjen miqësore MaqedoniShqipëri (0-0). TVSH e ka konsideruar të tepërt pagesën prej 12 mijë eurosh, e kërkuar nga maqedonasit për lëshimin e sinjalit.

Sepse, sipas Petrit Becit, drejtorit të TVSH-së, 12 mijë euro janë shumë për një ndeshje miqësore, pa trajnerin e parë, ku do të aktivizohen lojtarë të rinj!!! Deri pak orë para se të niste takimi, u tha se më në fund marrëveshja ishte arritur, por sërish nuk u bë e mundur transmetimi i ndeshjes. Turp për TVSH-në, që bën pazar të tillë për kombëtaren!

Në analiza të ndryshme në debatet televizive, ndërhyrja e shtetit shihet si e vetmja rrugë për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të rritur cilësinë e futbollit në vendin tonë. Por çfarë mund të presësh, kur nuk u afrojmë tifozëve të kombëtares edhe shërbimin më minimal: transmetimin direkt të një miqësoreje, që luhet në një vend fqinj!

Në Prilep kombëtarja ka gjetur një ambient të ftohtë, pa asnjë tifoz kuqezi në stadium, ku kanë mbizotëruar thirrjet raciste antishqiptare. Po kaq ftohtë, madje të fyer, janë ndier qindra mijëra telespektatorë, tifozë të kombëtares, që më

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›