Itali, shqyrtohet ligji i imunitetit të Berluskonit
Gjykata Kushtetuese në Itali ka nisur rishikimin e një ligji të shumëpërfolur deri tani, i cili i jep kryeministrit Silvio Berluskoni, imunitet nga ndjekja penale ndërsa është në post si drejtues i qeverisë italiane. Nëse gjykata vendos se ligji është jo kushtetues, kundër Berluskonit do të hapen një mori çështjesh gjyqësore, ku në një prej tyre, ai akuzohet se i ka dhënë ryshfet një avokati britanik për ta mbrojtur atë duke dhënë dëshmi të rreme. David Mills aktualisht është dënuar në Britani me katër vjet e gjysmë heqje lirie. Ligji për imunitet u paraqit vitin e kaluar, gjashtë javë pasi Berluskoni nisi mandatin e tij të tretë si kryeministër. Edhe pse pati kundërshtim të fortë nga opozita, ligji u miratua me shumicën e siguruara nga Silvio Berluskoni. Një nga mbështetësit e Berluskonit, nënsekretari i Presidentit të këshillit italian, Paolo Bonaiuti, tha se: “Ligji nuk është imunitet, por pezullim i proceseve. Bëhet fjalë për një masë legjitime, edhe të nevojshme, për të lejuar mbajtësit e përgjegjësive institucionale të kryejnë detyrën gjatë mandatit në mënyrën më të mirë në interes të vendit”, tha ai. Të njëjtën tezë kanë pasur edhe avokatët e Berluskonit gjatë seancës së djeshme. Gjykata vendosi ta vazhdojë sot shqyrtimin e çështjes, duke kërkuar më shumë vëzhgim për shkeljen e nenit të barazisë në këtë ligj. Shqyrtimi ligjit nga gjykata Kushtetuese pas vendimit të Gjykatës së Milanos se, Berluskoni është bashkëfajtor për korrupsion, ka tërhequr vëmendjen e mediave më prestigjioze të botës. Supozimet mbi zgjedhje të parakohshme, hipoteza këto të diskutuara edhe në mediat por-qeveritare ishin në faqet e “Wall Street Journal” dhe “Financial Times”, por edhe në gazeta të tjera në Britani, Francë, Spanjë, Gjermani deri në Shtetet e Bashkuara.