E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhen në lumin Kir mbeturinat, ndotja “xhiro” në Shkodër

22/04/2011  

Ankohen banorët e lagjes “Bleran” dhe Mark Lula: Po sëmuremi. Bashkia: Zgjidhje, landfilldi

SHKODER- Banorët e lagjeve përreth “Varrezave të dëshmorëve” shprehen të shqetësuar me fenomenin e fundit të hedhjes së mbeturinave jo shumë larg banesave të tyre dhe në breg të lumit Kir. Sipas banorëve të lagjes “Bleran” të fshatit Bardhaj, si dhe të lagjes periferike informale “Mark Lula” të qytetit të Shkodrës, ka thuajse dy javë që mbeturinat nuk hidhen dhe nuk digjen më në vendin e mëparshëm. Fillimisht banorët u liruan nga shqetësimi disa vjeçar i djegies së qindra tonëve mbeturina ditore të qytetit të Shkodrës, që shkarkoheshin pranë “Varrezave të dëshmorëve” dhe monumentit të “5 heronjve të Vigut”, por tashmë ata vërejnë një fenomen tjetër të dëmshëm për të gjithë banorët e lagjeve në fjalë e ndoshta dhe më gjerë.

Mbeturina “të fshehura”

Banorët e “Bleranit” dhe “Mark Lulës” sqarojnë se prej disa ditësh mbeturinat që kishin mbetur nga djegiet e mëparshme janë mbuluar me zhavorr dhe mbetje inerte nga punonjësit e mjetet Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit. Sheshi i mëparshëm i grumbullimit të mbeturinave ka marrë një pamje tjetër, por mbeturinat vazhdojnë të vijnë natën dhe të hidhen disa metra më larg. Tashmë problem nuk qëndron në djegien e mbeturinave, pasi nuk vihen re raste të vënies së zjarrit, por është krijuar një shqetësim tepër i madh, pasi mbeturinat e qytetit janë duke u hedhur buzë shtratit të lumit Kir. Banorët shprehen se problemi i parë që shkakton hedhja e mbeturinave pranë këtij lumi është ndotja shumë e madhe e tij, kur dihet se ai lumë kalon në të dy lagjet për të vijuar edhe në lagje të tjera më pas. Problemi i dytë për banorët e zonës në fjalë lidhet me faktin se mbeturinat, në vend që të largoheshin apo hiqeshin krejt nga ajo zonë i janë afruar edhe më shumë banesave, duke rrezikuar shëndetin e tyre. “Na është premtuar jo vetëm për heqjen e mbeturinave, pasi do hidhen në landfilldin e Bushatit, por asgjë nuk është realizuar nga premtimet. Të paktën me paratë tona që paguajmë si taksa të pastrimit që paguajmë të mos i sjellin mbeturinat pranë banesave për të na sëmurë si banorëve të kësaj lagjeje. Sipas banorëve të zonës, vazhdimisht kanë protestuar për hedhjen e mbeturinave pranë banesave të tyre dhe gjithmonë iu është premtuar se do të hiqen përfundimisht nga ajo zonë e përfshirë në një projekt rehabilitues, ku është parashikuar dhe gjelbërimi i plotë. Prej më se 15 vitesh, jo vetëm nuk u mbajtën premtimet për heqjen e mbeturinave dhe dërgimin e tyre në lanfilldin e Bushatit, por as të rrugëve që janë në gjendje të mjerueshme. Për banorët e zonës ku hidhen mbeturinat e qytetit të Shkodrës është e pakuptimtë dhe e patolerueshme që me paratë e tyre, të taksave të pastrimit të paguajnë sjelljen e mbeturinave pranë banesave të tyre, duke u bërë rrezik e shkak i shumë sëmundjeve të rreth 7 mijë banorëve të dy lagjeve. Një problem tjetër, tepër shqetësues që krijohet nga hedhja e mbeturinave buzë lumit Kir është edhe ngushtimi i përditshëm i shtratit të këtij lumi. Për banorët e lagjeve “Bleran” dhe “Mark Lula”, ngushtimi i shtratit të lumit Kir do të thotë përmbytje të tokave dhe banesave të tyre gjatë stinëve me reshje. Në këto kushte, banorët lagjeve “Bleran” e “Mark Lula” kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të hedhjes së mbeturinave buzë shtratit të lumit Kir dhe banesave të tyre. Burimet nga Bashkia e Shkodrës shprehen se shumë shpejt të gjitha mbeturinat urbane do të hidhen në landfildin e Bushatit, por pa mundur dot të japin një datë të caktuar. Gjithë problemi është krijuar nga komuna e Bushatit, e cila kërkon taksë të lartë për depozitimin e mbeturinave të njësive të tjera vendore në lanfilldin e ngritur në territorin administrativ të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›