E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon ligji, lejohet mbajtja e shamive në shkolla

22/04/2011  Tërhiqet MASH, heq paragrafin nga drafti për arsimin parauniversitar që pritet të miratohet së shpejt

Mbajtja e shamisë nga vajzat myslimane nuk do të jetë më një pengesë për vijimin e studimeve në shkollat e arsimit parauniversitar. Pavarësisht debateve të lindura gjatë kohëve të fundit, Ministria e Arsimit ka ndërruar mendje, duke ndryshuar përmbajtjen e këtij drafti. Burimet zyrtare të këtij institucioni kanë bërë me dije gjatë ditës së djeshme se pas pretendimeve të ngritura edhe nga përfaqësuesit e komunitetit mysliman, si dhe diskutimeve me grupet e tjera është vendosur heqja e paragrafit, i cili interpretohej si ndalim i përdorimit të shamisë nga vajzat myslimane që do të frekuentonin shkollat publike të arsimit të detyruar dhe atij të mesëm. Sipas MASH, shumë shpejt pritet të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave drafti i rishikuar për arsimin parauniversitar, i cili përfshin edhe simbolet fetare. Për këtë, ministria sqaron se pas konsultimeve me komunitetet fetare në vend, për më shumë se tre muaj, është rënë dakord që të hiqet paragrafi që flet për simbolet fetare, duke i lejuar ato në shkollat e arsimit parauniversitar. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka konsultuar gjerësisht projektligjin gjatë muajve dhjetor-janar me komunitetet fetare dhe është vendosur heqja e këtij paragrafi. Projektligji është në procesin e përmirësimit në të gjithë kapitujt e tij, mbështetur në sugjerimet e shkollave, mësuesve, prindërve, institucioneve qendrore, grupeve të interesit, partnerëve të huaj dhe sapo të përfundojë, do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave”, citohet në njoftimin zyrtar të Ministrisë. Megjithatë, të pyetur mbi këtë ndryshim, ekspertët e Komunitetit Mysliman kanë pohuar se ende nuk janë njoftuar zyrtarisht me ndryshimet e bëra. Drejtori i marrëdhënieve me publikun pranë këtij komuniteti, Agron Hoxha, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se janë në pritje të vendimit të Ministrisë së Arsimit. Sipas Hoxhës, pas debatit të hapur mbi projektligjin e ri, si dhe në kuadër të diskutimeve lidhur me këtë draft, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, pasi është konsultuar me juristë dhe ekspertë të fushës, i ka dërguar një letër MASH-it, ku i ka bërë të ditur kundërshtitë e tij në lidhje me pikat që cenojnë liritë dhe të drejtat e besimtareve, apo që janë të hapura për keqinterpretime të mundshme në të ardhmen. Gjithashtu Hoxha shton se kjo letër i është dërguar edhe kryeministrit, kreut të Komitetit të Kulteve, duke e cilësuar atë si një pjesë të procesit të ndjekjes së kësaj çështjeje të rëndësishme, pasi në të njëjtën kohë janë bërë mjaft takime me zyrtarë të lartë të ministrive, deputetë, e funksionarë të lartë të shtetit etj. “Deri tani KMSH ka marrë garanci verbale për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por zgjidhja finale do të jetë vetëm ndryshimi i pikave të debatuara në projektligj në variantin e tij final”.

Pretendimet e komunitetit mbi mosndalimin e shamive

Konkretisht, në pikën katër të nenit 36 të draftit të ri për arsimin parauniversitar, pohohet se ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare. Kundrejt kësaj pike, Komuniteti Mysliman, në shkresën dërguar kreut të arsimit, konfirmon se përdorimi i shamisë që mbulon kokën nuk konsiderohet si simbol fetar. Sipas tyre, veçanërisht pika 4 e këtij neni ka ngjallur debate të shumta lidhur me kuptimin dhe interpretimin e saj. Megjithëse titulli i nenit dukshëm bën fjalë për veprimtari në ambientet e institucionit apo veprimtari të kryera nga ana e vetë institucionit, po ashtu edhe klasifikimet që përmban neni nënkuptojnë qartazi veprimtari dhe në asnjë rast nuk përfshijnë praktika të rrafshit personal të individit dhe as shprehje të detyrimeve e të praktikave fetaro-individuale të tij si një e drejtë dhe liri e ushtrimit të fesë në jetën publike dhe atë private. Pika 4 e nenit 36 është interpretuar dhe po vazhdon të interpretohet si masë ndaluese veçanërisht për mbajtjen e shamisë-mbulesë e kokës (flokëve) të vajzave myslimane gjatë frekuentimit të institucioneve arsimore publike dhe private në Republikën e Shqipërisë. Gjejmë me vend këtu të sqarojmë kuptimin dhe përmbajtjen e kësaj praktike, që nënkupton mbulimin e flokëve dhe jo të fytyrës, që është e njëjta shami, e cila nga pikëpamja pamore e saj ka gjetur dhe gjen mbrojtje e mbështetje të plotë sa i takon mosndalimit të saj në emetimin e dy prej dokumenteve më të rëndësishme në vend e jashtë Shqipërisë, siç janë kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. E theksojmë këtë mosndalesë të shamisë në kuadër të dokumentacionit, për ta bërë edhe më të qartë praktikën fetare të pretenduar: shami që mbulon flokët dhe jo fytyrën, duke gjykuar se mbajtja e saj dhe respektimi i veshjes në tërësinë e saj nuk cenon në asnjë rast uniformën shkollore e mund të qëndrojë paralelisht me këtë të fundit”, thuhet në letrën e komunitetit mysliman dërguar kreut të arsimit gjatë hapjes së debatit mbi përmbajtjen e këtij ligji.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›