Hidhet në kabinën elektrike, vdes një 62-vjeçar
Hidhet në kabinën elektrike, vdes një 62-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesditës së djeshme, kur Elham Belaj, 62 vjeç, me banim në fshatin Peshkëpi, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur brenda kabinës elektrike në këtë zonë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se 62-vjeçari, punëtor ndërtimi, mbasi ka punuar disa orë pak pas mesditës, është futur në kabinën elektrike të tensionit të lartë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Kolegët kanë tentuar t‘i shkojnë në ndihmë, por çdo gjë ka qenë e kotë, pasi burri ka ndërruar jetë brenda pak minutash. Sipas policisë lokale, vetëvrasja ka ardhur si pasojë e një gjendjeje të rënduar depresive, ku ishte futur prej kohësh 62-vjeçari. Trupi i pajetë është dërguar fillimisht për në morgun e qytetit, nga ku është tërhequr më pas nga familjarët.
Mi.Ma.
Mi.Ma.